SHBA – Joe Biden dhe Kamala Harris mbërrijnë në Capitol për të bërë betimin

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-AFP/ -Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris mbërritën në Kapitol, ku ata do të bëjnë betimin para ish-presidentëve Barack Obama, George W.Bush dhe Bill Clinton, por në mungesë të Donald Trump. 

Demokrati do të betohet si presidenti i 46-të i SHBA-së gjatë një ceremonie të pazakontë, e shënuar nga pandemia dhe sulmi në Capitol, më 6 janar, nga mbështetësit e miliarderit republikan.

Joe Biden, 78 vjeç, mbërriti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Jill Biden, 69 vjeçe. Çifti u ngjit në shkallët e Kapitolit së bashku me Kamala Harris, 56 vjeçe dhe bashkëshortin e saj Doug Emhoff, 56 vjeç.

Presidenti i zgjedhur dhe Kamala Harris do të betohen në tribunën e madhe para disa të ftuarve, por në mungesë të qindra mijëra amerikanëve që mblidhen tradicionalisht në sheshin e madh “National Mall” çdo katër vjet, për betimin e presidentit. 

Zëvendëspresidenti republikan në ikje, Mike Pence do të jetë i pranishëm në tribunë, por jo Donald Trump, për herë të parë në 150 vitet e historisë amerikane.

Më herët presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden konfirmoi sot në Twitter se një ditë e re po agonte për Amerikën, të paktën tre orë nga betimi i tij për të pasuar Donald Trump.

“Një ditë e re po vjen për Amerikën”, theksoi në Twitter ish-zëvendëspresidenti nën drejtimin e Barack Obamas në këtë ditë të kalimit të pushtetit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.