Rehabilitohet qendra shëndetësore e Rrogozhinës/ Kushte dinjitoze për bluzat e bardha për të garantuar shërbim cilësor nga veriu në jug

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër ambientet e rehabilituara tërësisht të Qendrës Shëndetësore të Rrogozhinës, një tjetër qendër e rindërtuar me standardet më të mira, me programin kombëtar të Rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ai pa nga afër transforimin e kësaj qendre, e cila sipas personelit shëndetësor, “më parë ishte në gjendje të degraduar”.
“Vijojmë pa e ndalur punën për krijimin e kushteve dinjitoze për bluzat e bardha dhe për të garantuar shërbimin cilësor në çdo komunitet, nga veriu në jug”, tha Rama.
Ministrja Manastirliu theksoi se “kjo qendër jep shërbim për 14 mijë banorë”.
“Në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore tani është rehabilituar plotësisht. Qendra ka qenë në kushte të amortizimit total. Duke qenë edhe qendër 24-orëshe shërbimi ka qenë shumë i vështirë për t’u dhënë”, tha Ministrja.
Ajo theksoi se “edhe pse në kohë pandemie ia kemi dalë që edhe gjatë vitit 2020 të vijonim me programin tonë dhe kjo qendër tashmë është transformuar totalisht”.
Qendra Shëndetësore Rrogozhinë ka po ashtu edhe një dhomë të izoluar për trajtimin e personave me COVID-19.

“Infermierët kanë asistuar të sëmurët me COVID, në rastet e marrjes së tamponit dhe trajtimit specifik”, tha Ministrja.

Ndërkohë ajo theksoi se “po vijojmë me programin e vaksinimit pa ndërprerje dhe kemi një mbulesë vaksinale të lartë”. “Në momentin që do të kemi vaksinat antiCOVID për gjithë popullatën, jemi organizuar që të gjithë zinxhirin ftohës ta kemi funksional për të ruajtur në temperaturat e kërkuara edhe vaksinën”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se vetë Qendra Shëndetësore e Rrogozhinës është e pajisur me 2 autoambulanca me të gjitha kushtet, ndërsa personeli infermieror është plotësuar me infermierë të rinj nga portali “Infermierë për Shqipërinë”. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.