Qeveria miraton fondet e Rindërtimit për 7 objekte arsimore në Kamzë dhe 4 në Kavajë

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të Rindërtimit për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore në bashkitë Kamzë dhe Kavajë dhe caktimin e tyre si njësi zbatuese, në masën 1 223 429 959 lekë.

Konkretisht bashkia Kamzë përfiton fondin në masën 754 430 842 lekë pa TVSH. Ky fond do të përdoret për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Niko Hoxha”, në masën 189 845 078 lekë pa TVSH; rindërtimin e çerdhes “Kamzë”, në masën 67 638 407 lekë pa TVSH; rikonstruksionin e shkollës së mesme “Ibrahim Rugova”, në masën 178 500 000 lekë pa TVSH dhe rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Zogu”, në masën 163 800 000 lekë.

Po ashtu fondi do të përdoret për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Kamza e Re”, në masën 66 780 000 lekë; rikonstruksionin e kopshtit “Kamza e Re”, në masën 30 170 000 lekë; rikonstruksionin e kopshtit “Ahmet Zogu”, në masën 57 697 357 lekë.

Ndërsa bashkia Kavajë përfiton fondin në masën 468 999 117 lekë pa TVSH, për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Aleksandër Moisiu”, në masën 153 041 206 lekë pa TVSH; rikonstruksionin e shkollës “Qamil Xhani”, në masën 139 632 943 lekë pa TVSH; rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Razi Leka”, në masën 119 025 106 lekë pa TVSH;
rikonstruksionin e kopshtit “Hap pas hapi”, në masën 57 299 862 lekë pa TVSH.

Vendimi përcakton edhe përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore në bashkitë Kamzë dhe Kavajë, në masën 244 685 991 lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit.

Konkretisht bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 150 886 168 lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, ndërsa bashkisë Kavajë i transferohet fondi në masën 93 799 823 lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Vendimi parashikon edhe caktimin e bashkive Kamzë dhe Kavajë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.