KQZ apel qytetarëve: Verifikoni emrin në listën e zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrës së votimit

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit.

Kontrolli i listës së zgjedhësve dhe i vendndodhjes së qendrës së votimit mundet të bëhet duke klikuar në rubrikën “Lista e Zgjedhësve” në faqen e internetit të të KQZ-së www.kqz.gov.al, ose atw të Ministrisë së Brendshme www.mb.gov.al.

Në rast se konstatoni parregullsi tek të dhënat tuaja, apo dëshironi të ndryshoni ose të shtoni të dhëna në ekstraktin zgjedhor, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative.

Gjithashtu, KQZ i bën apel qytetarëve që iu ka mbaruar ose u mbaron afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit (Letërnjoftim/ ose Pasaportë) deri në datën 25 prill, që të aplikojnë për rinovimin e tyre.

Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, KQZ ju bën thirrje qytetarëve që të mos e lënë për në momentin e fundit por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat”, për të aplikuar për rinovimin e dokumentit të identifikimit.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, synohet të implementohet identifikimi elektroniki zgjedhësve, ndaj një dokument i identifikimit i vlefshëm është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen tuaj në votim.

Të votosh është e drejtë, por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, verifikoni emrin në listën e zgjedhësve, qendrën tuaj të votimit dhe rinovoni dokumentin tuaj të identifikimit./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.