Inaugurimi i presidentit të SHBA, Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris/ Mesazhet e urimit

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Autoritetet shtetërore dhe ato politike kanë dhënë mesazhe urimi me rastin e inaugurimit të presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu urimet e tij. “Urimet më të sinqerta, të miat dhe të popullit shqiptar, për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Zëvendëspresidenten, Kamala Harris”, tha Meta.

“Jemi të bindur se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tej, ndërsa së bashku forcojmë bashkëpunimin transatlantik dhe në NATO. Shqipëria do vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA, si garanci jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në çështje të rëndësishme globale”, u shpreh Meta.

Zv.kryeministri Erion Braçe në mesazhin e urimit shprehet “se sot është një ditë e mirë për cilindo që beson tek demokracia, liria, kushtetuta e ligji, dialogu e komunikimi, e vërteta, kritika e kundërshtia paqësisht, për cilindo që beson tek vota e drejtë, e barabartë, e ndershme, e numërueshme dhe vendosëse, për cilindo që beson tek institucionet, krijuar nga vota, të forta funksionale, të drejta e të barabarta gjithnjë”.

“Presidenti Biden u bë i tillë me më shumë vota se gjithkush, zëvendëspresidentja Harris u bë e tillë prej atyre votave dhe është e para grua e tillë. Një bashkim që jep shpresë për rikthim tek liria, drejtësia, barazia, ligji e paqja, respekti, garancia për lirinë e gjthkujt, shërbimi e vërteta, shkenca. Dhuna nuk do i zëvendësojë kurrë”, u shpreh Braçe.

Po ashtu, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka uroi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe zëvendëspresidenten, Kamala Harris.

“Urimet më të mira për Presidentin e Amerikës Joe Biden dhe Zëvendëspresidenten Kamala Harris. Sytë e gjithë botës janë tek ju!”, u shpreh Xhaçka.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Zëvendëspresidenten, Kamila Harris.

“Urime Presidentit Joe Biden dhe zv.presidentes Kamala Harris! Pres të punoj me ju për të forcuar më tej aleancën SHBA-Shqipëri. Ju keni provuar se demokracia është e fortë dhe se ndryshimi është i mundur. Urime më të ngrohta nga gjithë qytetarët e Shqipërisë!”, tha Basha.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në mesazhin e tij shprehet: “Joe Biden është sot zyrtarisht Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë karrierës së tij në Senat dhe si zëvendëspPresident i SHBA, Biden ka qenë një zë kryesor mbështetës i kauzës shqiptare për pavarësimim dhe shtetin e pavarur të Kosovës, si dhe i marrëdhënieve të shkëlqyera me Shqipërinë”.

“Mirënjohje SHBA për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Balla.

 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj përcolli po ashtu, mesazhin e urimit.

“Uroj thellësisht Presidentin Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris për inaugurimin e tyre si President i Shteteve të Bashkuara dhe zv.president.
Burrat dhe gratë që drejtojnë kombet dhe komunitetet tona kanë nevojë për besimin e fortë në shtetin e së drejtës dhe demokracinë, teksa qeverisin në këto kohë të vështira”, u shpreh Gjonaj.

“Mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve për vijimin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, thellimit të reformave dhe zhvillimit të demokracisë në vendin tonë, si vend aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Gjonaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.