Gonxhja: Shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve hapet në muajin shkurt

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, (DPSHTRR) Blendi Gonxhja u shpreh se “shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve hapet në muajin shkurt”.

I pranishëm sot në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku u diskutua Akt Normativ “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së çertifikatës së kontrollit teknik”, Gonxhe tha se “të gjithë ata që duan të bëjnë kolaudimin e mjetit duhet të rezervojnë online dhe nga momenti i rezervimit nuk mund të vonojnë procesin e kontrollit teknik, pasi nëse e shkelin afatin u lind detyrimi të kenë një gjobë në vlerën e 1 mijë lekëve”.

Gonxhja theksoi se, “taksat vjetore të mjeteve duhet të prihen në datën e caktuar”.

“Kamatëvonesa e taksave nuk falet por ajo ecën, madje, – tha ai, – pagesa e taksave është një kusht që pronari i mjetit të marrë në lejen e qarkullimit, vulën që iu jep tremujori nga data e skadencës së fletës së kolaudimit”.

“Sistemi ynë i rezervimeve do t’i orientojë të gjithë qytetarët në orën edhe datën e mundshme dhe të gjithë ata që nuk do të kenë mundësi të marrin orë dhe datë dhe nuk kanë bërë aplikim për orë dhe date, megjithëse u ka skaduar afati nuk do t’i penalizojmë dhe do t’i mirëkuptojmë”, – tha Gonxhaj.

Akt normativ që u miratua në komision parashikon që të shtyjë vlefshmërinë e kontrollit teknik të automjeteve me 3 muaj për shkak të gjendjes së amortizuar të qendrave të kolaudimit, që deri më 31 dhjetor ishin në përgjegjësinë e koncesionarit SGS-Automotiv Albania. Ndërsa që prej 1 janarit ky shërbim është marrë në dorëzim nga shteti. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.