Demokratët ngrohen në diell, memexhinjtë iu zunë vendin

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot një video ku ironizon kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me diskutimet për listat e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Meme party. Ja pse u tremb Luli kur pa në ëndërr që Memet do ndaloheshin me ligj”, tha Rama, ndërkohë që postoi videon.

“Demokratët ngrohen në diell memexhinjtë i zunë vendin”, thuhet në video ku përballë qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendosen deklaratat e aleatëve të djathtë.

Në një studio televizive, Basha deklaron se “drejtuesit e qarqeve janë proces i brendshëm politik i cili po zhvillohet”. “Pjesë e një stadi tjetër të organizimit. Përkundrazi ne i kemi paraprirë këtij procesi”, thotë Basha.

Nga ana tjetër demokristiani Nard Ndoka dhe kreu i LZHK-së Dashamir Shehi janë shprehur se kanë përmbyllur marrëveshjen me PD-në për vende të sigurta në listat për deputetë.

Shehi shprehet se do të jetë në listat e Tiranës, Agron Duka se do të jetë në pjesën e sigurt të listës dhe Nard Ndoka se do të jetë në qarkun e Shkodrës.

Pas publikimit të kësaj videoje reagoi edhe kreu i PD-së Lulzim Basha. “Kur Rama qesh, Shqipëria qan. Duket se ai e ka të vështirë të kuptojë që shqiptarët anembanë vendit janë lodhur prej tij. Këtë do ta mësojë mirë në 25 Prill kur ta largojmë dhe të sjellim një të ardhme më të mirë për familjet shqiptare”, tha ai./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.