COVID-19 – Spitalet britanike nën presion të madh, si në “zonë lufte”

LONDËR, 20 janar /ATSH-AFP/ – Përballur me një rritje të konsiderueshme të të sëmurëve me koronavirusin e ri, spitalet britanike ndodhen nën një presion të madh, ndërkohë që disa gjenden si në zonë lufte, ngriti alarmin këshilltari shkencor i qeverisë, Patrick Vallance.

Situata është shumë shumë e keqe në këtë moment, me një presion të madh, dhe në disa raste, ajo ngjan si në një zonë lufte për njerëzit që duhet ta menaxhojnë”, deklaroi Patrick Vallance për Sky News.

Britania e Madhe po përballet me një valë tjetër kontaminimesh, që i atribuohet një varianti që konsiderohet shumë më ngjitës të virusit.

Rikufizuar për herë të tretë në përpjekje për ta frenuar atë, vendi është më i godituri në Europë me më shumë se 91 000 të vdekur, duke përfshirë një rekord prej 1 610 në 24 orë orët e fundit. Rastet me COVID-19 kanë kaluar pragun prej 3,5 milionë. 

Kjo rritje në raste dhe viktimave po ushtron presion të fortë në spitale, ku ndodhen aktualisht 37 946 pacientë me COVID-19 (përfshirë 3 916 në respirator), shumë më tepër sesa gjatë valës së parë në pranverë.

Qeveria britanike ka vendosur që nga fillimi i dhjetorit një program ambicioz të vaksinimit masiv me shpresën që të jetë në gjendje të lehtësojë gradualisht kufizimet.

Më shumë se 4,2 milionë personel shëndetësor apo persona mbi 70 vjeç kanë marrë tashmë dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca/Oxford, me një objektiv prej 15 milionë persona deri në mes të shkurtit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.