20 milionë euro për vendosjen e fiderave 20 kV në Gjirin e Lalëzit/ Balluku: Rritet cilësia e furnizimit për banorët e bizneset

TIRANË 20 janar/ATSH/ Rreth 20 milionë euro janë investuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për vendosjen e fiderave 20 kV në zonën bregdetare të Gjirit të Lalëzit dhe fshatrave përreth.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe kreu i OSHEE-së, Adrian Çela inspektuan sot punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të tensionit të mesëm dhe të ulët në njësinë administrative Manzë, bashkia Durrës.

Ky investim, tha ministrja Balluku, rrit cilësinë e furnizimit për banorët dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë dhe do të jetë gati para nisjes së sezonit turistik.

Ndërsa kreu i OSHEE_së, theksoi se i gjithë investimi në Gjirin e Lalëzit nga kompania llogaritet 20 milionë euro.

“Përfunduam tre fiderat e parë në Gjirin e Lalëzit, tani ka nisur puna për fiderin që furnizon rreth 10 mijë banorë të Manzës, Shkallës, Armatës. Po punohet për vendosjen e dy fiderave që aktivizojnë gjirin e Shkafanës deri në Kepin e Rodonit. Dhe i fundit është fideri që lidh Sukthin dhe fshatin Katund i Ri, Hodrovor, Armatë. Me këtë investim mund të themi se të gjitha njësitë administrative të bashkisë së Durrësit do të furnizohen me rrjet 20 kV. Investimi në këto tre fidera shkon në rreth 12 milionë euro, por po të kemi parasysh edhe nënstacionin dhe investimet në fiderat e tjerë llogariten rreth 20 milionë euro të investuara nga kompania në bregdetin e Gjirit të Lalëzit dhe fshatrave përreth”, tha Çela.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është modeli i kabinave të reja që po vendosen.

Ministrja Balluku tha se kabinat e reja që po vendosen janë të tipit “boks”, që vijnë dhe montohen direkt me të gjitha pajisjet të vendosura brenda, gjë që shkurton jashtëzakonisht shumë kohë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.