10 vite nga masakra e 21 Janarit/ Balla: Hetimi s’mund të fokusohet vetëm tek ekzekutorët, pa marrë në hetim urdhëruesit

TIRANË, 20 janar/ATSH/ “10 vite nga masakra e 21 Janarit, drejtësia e re duhet të marrë përgjegjësitë dhe të hetojë urdhëruesit”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla bën të ditur se “jemi informuar se Prokuroria ka kërkuar hetime të mëtejshme në dosjen e vrasjes së protestuesve Aleks Nika dhe Hekuran Deda më 21 Janar 2011”.

“Por ky hetim nuk mund të fokusohet vetëm tek ekzekutorët, pa marrë në hetim urdhëruesit. Sali Berisha për 10 vite me radhë rreh gjoksin se ai është urdhëruesi i plumbave mbi popullin protestues”, thekson Balla.

Ai shton më tej se “Lulzim Basha si Ministër i Brendshëm zbatonte urdhrat e Sali Berishës nga tarraca e Kryeministrisë. Ai nuk mori asnjë përgjegjësi, madje u gradua në detyrë nga Saliu pas 21 Janarit”.

Nesër shënohen 10 vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.