Vaksinat antiCOVID/ Rama: Nuk kam bërë sherr me BE, këtu është fjala për të mbrojtur njerëzit

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nuk do të rri me gojën mbyllur kur është fjala për të mbrojtur njerëzit, si në rastin me BE, e cila nuk përfshiu Ballkanin Perëndimor në aksesin për vaksinat.

I pyetur në një konferencë me gazetarët për qëndrimin e tij kritik sa i përket sjelljes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave, Rama u shpreh, “unë nuk kam bërë asnjë sherr me BE dhe mua nuk më ndalon askush që të them opinionin tim. Por mos u merrni me opinionin tim, merruni me opinionin e OBSH”.

Rama theksoi se “kur thashë mos u merrni me opinionin tim desha të vazhdoj, por më ndërpreve, sepse thjesht po jepja një shembull se pse unë kam të drejtë në këtë rast dhe nuk kanë të drejtë ata që kanë reaguar. Nuk ka të drejtë as Ambasada franceze, opozita jo e jo. Dhe shembulli im është ai i OBSH. Merreni, lexojeni, çfarë ka thënë OBSH për shpërndarjen e vaksinave. Ka shkuar shumë më larg sesa unë, ka thënë jemi në prag të një katastrofe morale për njerëzimin. Unë nuk kam kaq largpamësi dhe nuk jam kaq i madh sa të mund të shprehem në terma kaq global dhe të flas në emër të gjithë njerëzimit”.

Por, theksoi Rama, “nëse juve e shikoni të paarsyeshme që unë si kryeministri juaj, si përfaqësuesi dhe zëri juaj, të ngre zërin për ju. Më vjen keq për ju. Por ju siguroj që nuk mendojnë kështu të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që shumica e shqiptarëve mendon si unë në këtë rast. Fakti që ne jemi të vegjël, fakti që ne nuk jemi të pasur, fakti që ne së bashku me të tjerë në këtë rajon nuk jemi anëtarë të BE-së, nuk na bën ne që të rrimë detyrimisht me gojën mbyllur dhe përpara një fakti të tillë që është i qartë”.

“Unë nuk jam kryeministri i një vendi të BE, por jam europian, të paktën njësoj sa të gjithë ata që flasin në emër të BE-së. Të paktën. Nuk po them më shumë. S’jam në garë me askënd se kush është më shumë europian, por të qenit tim europian nuk e ndryshon dot askush dhe as vetë pozicioni im, jam kryeministër apo jam thjesht një qytetar i lirë i këtij vendi që kam një zë”, – u shpreh Rama.

“E çfarë thashë unë që u mërzitën këta? Pse u mërzitën? Çfarë thashë dhe çfarë nuk duhet të thosha? Dhe është çështje karakteri. Opozita me reagimin e vet ka treguar karakterin e vet. Karakter i dobët, i atyre që kur kanë pasur pushtetin i janë përulur me servilizëm kujtdo që ka folur në gjuhë të huaj. Unë nuk hyj në këtë kategori. Dhe kjo që unë them, nuk do të thotë aspak mungesë respekti. Por respektin për Francën, dhe për admirimin për Francën dhe për dashurinë po të doni për Francën, unë konkurroj me çdo francez s’e kam problem fare edhe me ambasadoren, edhe me çdo francez tjetër. Por nuk jemi në garë se kush e do Francën më shumë apo kush e do BE-në më shumë. Këtu jemi thjesht në një situatë që është e qartë”, – theksoi Rama.

Për më tepër, shtoi Kryeministri Rama, “ka pasur dhe një humbje në rrugën e përkthimit. Sepse unë kur kam sjellë shembull Francën, mund të kisha sjellë shembull shumë vende të tjera. Dhe nuk kam dashur të ilustroj me shembullin për Francën vendimin e Këshillit Europian. Që është një vendim i gabuar. Po çfarë ka këtu? Ata kanë të drejtë të na thonë ne sa herë gabojmë dhe ne i falënderojmë. Po edhe ne kemi të drejtë të themi, mendoj unë, kur ata mund të gabojnë në raport me ne, jo në raport me shumë gjëra të tjera që sigurisht nuk janë as puna dhe nuk është as pozicioni ynë që t’u tregojmë atyre sesi të bëjnë punët e tyre”.

“Këtu është fjala për të mbrojtur dinjitetin. Këtu është fjala për të mbrojtur njerëzit dhe unë për të garantuar mbrojtjen e njerëzve të këtij vendi patjetër që nuk e kam gjuhën e nënës për ta vënë në gjumë, e kam për ta përdorur”, – tha Rama.

“Pse shqetësoheni ju? Çfarë ju mërzit ju? Ju keni frikë se po mërzitet BE-ja? Nuk mërzitet BE-ja kaq kollaj. Po dhe po të mërzitet, ku është problemi këtu në këtë rast, nëse kjo është e vërteta? Nuk është e vërtetë që u vendos të lihen jashtë nga aksesi në vaksinim direkt vendet e rajonit. Është e vërtetë apo s’është e vërtetë? Nuk është e vërtetë që gjyshi, gjyshja jote u lanë jashtë? Është e vërtetë apo s’është e vërtetë? Ti ke hallin e BE-së tani? Qan hallin sesi duket kryeministri yt në sytë e BE-së kur thotë ndonjë gjë që s’i pëlqen BE-së, apo ke hallin që gjyshi dhe gjyshja jote të vaksinohen sa më parë? Kë nga këto të dyja ke ti? Pse ti shqetësohesh për kryeministrin tënd meqë më the jeni kryeministri i shqiptarëve? Pse shqetësohesh ti? Çfarë bëri kryeministri yt, u tha atyre ndonjë të pavërtetë? I fyeu? I harroi se çfarë kanë bërë? Po nuk e harroj unë asnjë sekondë. Kauzën e BE-së e kam mbrojtur dhe e mbroj me pasion. E kam mbrojtur me pasion si njeri i lirë jashtë zyrave, e mbroj si kryeministër dhe do e mbroj gjithmonë. Nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. E kam mbrojtur dhe me admirim dhe respekt patjetër”, – u shpreh Rama.

“Por nga ana tjetër është e pakuptueshme për mua. Unë flas për vaksinat dhe më tregojnë çfarë ka bërë BE për Shqipërinë. Po pse s’e di unë çfarë ka bërë BE për Shqipërinë? E di më mirë sesa të gjithë ata që ma tregojnë në gjuhë të huaj, sepse jam shumë i vetëdijshëm dhe jam shumë mirënjohës për çfarë ka bërë BE-ja për Shqipërinë. Nuk e harroj kurrë dhe s’kam për ta harruar gjithë jetën ndihmën që dha BE për rindërtimin. Nëse sot po fillon faza e dytë e rindërtimit të shkollave kjo po bëhet me fondet e BE-së. Faza parë është bërë me fondet tona. Po me fondet tona ne nuk do t’i bënim dot të gjitha shkollat. E harroj unë këtë? S’kam si ta harroj. Për çfarë ma tregojnë mua që japim kaq, japim aq? Patjetër i di unë ato përmendësh. Po ku lidhen këto të dyja. Duhet të themi faleminderit shumë dhe bravo që na latë jashtë, apo mos flasim fare të bëjmë sikur s’kuptojmë?” – u shpreh Rama.

“Është shumë e thjeshtë. Ne jemi miq të pandarë me BE, jemi partnerë. Kam respekt absolut për gjithçka e bën BE një forcë të pazëvendësueshme. Por çfarë do të thotë kjo? Mos hap gojën për të mbrojtur njerëzit e mi, njerëzit që përfaqësoj? Mos hap gojë për t’i sjellë gjyshit dhe gjyshes tënde vaksinat? Pse, se mërzitet ambasada? As më ka shkuar në mendje njëherë pse duhej të mërzitej ambasada, s’kishte lidhje fare. Unë kam thënë një fakt për të ilustruar që shpejtësia e vaksinimit është në disproporcion me sasinë në dispozicion për të gjitha vendet”, – tha Rama.

“E çfarë u kushtonte atyre që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët dhe infermierët e rajonit? Çfarë u kushtonte? Për çfarë duhet ne të bëjmë operacione sekrete për të sjellë këtu vaksina për të filluar vaksinimin përpara sesa të kemi akses në instrumentat e tjerë kur mund t’i jepeshin Shqipërisë, mund t’i jepeshin Kosovës, mund t’i jepeshin Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës aq mijë doza sa kanë mjekë dhe infermierë. Nuk janë shumë. Që të mos rrinin të shihnin në televizor as gjyshi dhe gjyshja jote dhe as të gjithë të moshuarit e Shqipërisë dhe as të gjithë të tjerët sesi vaksinohen kundër vdekjes ata që flasin anglisht, apo frëngjisht, apo holandisht edhe të ndjeheshin si njerëz me vlerë relative në mes të Europës. Ja kaq e thjeshtë është dhe këtë gjë duhet ta kuptojnë, ta mirëkuptojnë. Ja kaq. S’ka këtu sherr me BE-në fare”, – tha Rama.

“Turp i madh për ata që kanë dalë në mbrojtje të BE-së dhe e mbrojnë BE-në nga unë. Turp i madh. Ata që nuk kanë fjalë vulgare të librit të gjuhës shqipe pa përdorur kundër ambasadorëve të BE-së. Ata që i kanë bërë ambasadorët e BE-së në sytë e opinionit si s’ka më keq, duke shpifur për ta, duke hedhur baltë për ta, e duke shkuar deri në ekstreme që janë neveri e gjallë. Ata mbrojnë BE-në nga unë tani. Ata që nuk kanë lënë maskarallëk pa bërë për përfaqësuesit e BE-së këtu”, tha Rama.

“Mos kini merak nuk ju fus në sherr me BE-në, përkundrazi sa të më keni mua këtu do të jeni të mirëpërfaqësuar në BE dhe në të gjithë botën. Mos kini asnjë merak për këtë”, siguroi Kryeministri Rama./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.