Tatimi progresiv u shoqërua me rritje punësimi prej 46%

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se nga tatimi progresiv mbi të ardhurat personale përfituan 97 % e të punësuarve në vend, ndërsa u shtua me 46 % numri i të punonjësve.

“Pavarësisht diskutimeve të shumta mbi tatimin progresiv mbi të ardhurat personale, për 97 % të të punësuarve barra fiskale u ul”, tha Denaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama me fokus ekonominë.

Sipas Denaj, megjithëse të ardhurat në buxhet nga aplikimi i kësaj takse u ulën me rreth 2 miliardë lekë në vitin 2014, në fund të vitit 2019, këto të ardhura shënuan rritje me 27 %.

“Taksimi progresiv u shoqërua me rritje të punësimit në vend. Numri i të punësuarve shënoi rritje prej 46 % në fund të 2019, krahasuar me 2013-ën. Në regjistrat tatimorë sot kemi 698 235 të punësuar, nga 473 mijë që ishin në fund të 2013-ës”, u shpreh ministrja. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.