Rikualifikimi urban i lagjes “Çole” në Vlorë/ Kryebashkiaku Leli: Hapësira sipas standardeve

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Lagjja “Çole” në qytetin bregdetar të Vlorës së shpejti do të ketë një pamje të re.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha sot se “ka filluar faza e parë e punimeve, e cila parashikon çlirimin nga xhungat që iu kanë marrë frymën rrugëve, përgjatë kaq shumë viteve”.

Sipas tij, ekipi i punës ka nisur prej ditësh pastrimin e territorit, për të zhvilluar më pas një hapësirë banimi, sipas të gjitha standardeve që kërkon koha e meritojnë banorët.

Kreu i bashkisë theksoi se “kam parë çdo herë, çdo ankesë e kërkesë që nuk i kanë kursyer banorët e lagjes ‘Çole’, për gjendjen jo të mirë të rrugëve përreth banesave të tyre. Përpara se të përpiqesha t’iu ndryshoja mendjen me fjalë, doja t’u tregoja punën konkrete”.

“Prej disa ditësh ka nisur rikualifikimi urban në gjithë bllokun e banesave midis rrugëve ‘Gjergj Kastrioti’, ‘Osmen Haxhiu’, ‘Enver Jaho’, ‘Zaho Koka’. Me prishjen e shtesave që kishin mbirë vend e pa vend, ka filluar ndryshimi rrënjësor që do të përfundojë me hapësira të gjelbra, trotuare, rrugë e ndriçim”.

Kryebashkiaku Leli publikoi edhe disa pamje se si do të jetë lagjja “Çole” së shpejti.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.