Pandemia efekt shkatërrues në shëndetin mendor të të rinjve

LONDËR, 19 janar /ATSH-AA/ – Një hulumtim i ri vuri në pah se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), ka një “efekt shkatërrues” mbi shëndetin mendor të te rinjve.

Sipas lajmit të “Evening Standart”, si pjesë e hulumtimit të kryer nga organizata humanitare “The Prince’s Trust” në Britaninë e Madhe, u pyetën 2,180 të rinj të moshës 16 deri në 25 vjeç.

Hulumtimi që vazhdon prej 12 viteve me radhë, këtë herë në krahasim me vitet e kaluara u vërejt se më shumë te rinj janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre.

Hulumtimi tregoi se një e katërta e pjesëmarrësve të rinj në këtë studim nuk kanë arritur të kapërcejnë problemet që i hasin në jetën e përditshme që nga fillimi i pandemisë.

Shkalla e të rinjve që janë të paarsimuar ose të papunë dhe që thanë se nuk arritën të kapërcenin problemet është rreth 40%.

Pothuajse gjysma e këtyre të rinjve u shprehën se shëndeti i tyre mendor ishte përkeqësuar që nga fillimi i pandemisë, ndërsa më shumë se gjysma thanë se ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për të aplikuar për një punë gjatë kësaj periudhe dhe se ata nuk mund të parashikonin se kur do të mbaronte kjo.

Jonathan Townsend nga “The Prince’s Trust” tha se pandemia COVID-19 kishte efekte shkatërruese në shëndetin mendor dhe kushtet e jetesës të të rinjve.

“Të rinjtë përballen me një jetë të parregullt arsimore, një treg të reduktuar të punës, si dhe izolim nga miqtë dhe të dashurit e tyre. Kjo bën që shumë njerëz të humbin shpresat për të ardhmen”, tha ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.