Në 2019 u regjistruan 225 mijë të punësuar më shumë krahasuar me 2013

TIRANË, 19 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp me fokus te ekonomia se, “në vitin 2013 në Shqipëri rezultojnë të punësuar 473 506 persona, ndërsa në vitin 2019 janë të regjistruar 698 235 mijë shtetas”.

Rama solli të dhëna nga regjistri i punës i Republikës së Shqipërisë, ndërsa shtoi se figurojnë 225 mijë të punësuar më shumë.

“Unë po e nis nga një e dhënë, pasi është një këngë e përsëritur për qëllime propagandistike. Ne kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe sot thjesht duke iu referuar shifrave, jo anketimeve, jo statistikave të nxjerra nga anketimet, por shifrave të regjistrit të punës në Shqipëri, ku kemi 225 mijë të punësuar më shumë krahasuar me vitin 2013”, tha Rama.

Rama tha se “225 mijë shqiptarë më shumë, paguhen dhe paguajnë sipas vendit të punës së tyre”.

“E sjell këtë shembull për të thënë se në çdo drejtim, në çdo aspekt është e njëjta gjë. Ndryshimi në raport me nga ku u nisëm është nata me ditën, ndryshimi në raport me ku duam të shkojmë është muzgu me agimin”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “njerëzit nuk kanë se si të mos shohin se jemi në kantier, ku është qartësisht e dukshme ajo që është ndërtuar dhe pjesa që mbetet për t’u ndërtuar, dhe kush mund ta ndërtojë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.