Modernizoi impiantet e përpunimit me mbështetjen e AZHBR/ Fabrika në Boboshticë grumbullon qumësht nga 1 mijë blegtorë


TIRANË, 19 janar/ATSH/ Tani rreth 1000 blegtorë të zonës së Korçës kanë një vend të sigurt për qumështin e tyre në fabrikën “Shaka” Boboshticë, e cila së fundmi ka modernizuar impiantet e përpunimit me mbështetjen e qeverisë.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau sot pamje nga kjo fabrikë e përpunimit të qumështit e cila u vizitua nga drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.

Si përfitues i investimeve përmes Skemës Kombëtare nga AZHBR, Jani Shaka ka rritur cilësisht teknologjinë dhe sot në këtë fabrikë përpunohen rreth 20 tonë qumësht në ditë.

“Pandemia si kudo ka ndikuar, por në produktet tona jo kaq ndjeshëm. Janë gati 1 mijë blegtorë në zinxhirin tim dhe përpunoj rreth 15-20 tonë qumësht në ditë. Sivjet fermerët janë akoma më të kënaqur, sepse sivjet kemi blerë shumë më shtrenjtë. Për fermerët ka qenë vit më i begatë”, tha sipërmarrësi, i cili kërkoi që projekte të tilla mbështetëse nga AZHBR të vazhdojnë. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.