Miratohet Akti Normativ/ OFL ka referuar në SPAK 198 raste për 220 subjekte. GJKKO, 88 vendime për 523 pasuri

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.

Të ftuar për të folur rreth qëllimit dhe objektivave që synohen të arrihen nëpërmjet projektaktit ishin Juljan Hodaj zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme dhe Klajdi Karameta zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.

Në fjalën e tij Hodaj bëri një bilanc të punës së Operacionit Forca e Ligjit.

Hodaj, shpjegoi se, ndryshimet në aktin normative kanë për qëllim shtyrjen e afatit për veprimtarinë e gjykatës dhe prokurorisë kompetente të ngarkuar në ushtrimin e kompetencave deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit dhe shprehjen me vendim për ato kërkesa që janë depozituar deri në datën 31 dhjetor 2020.

“Në këtë mënyrë masat e marra për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit,do të hetohen deri në vendimmarrjen përfundimtare”, shpjegoi Hodaj.

Relatorja e projektaktit sqaroi për sa i përket shtyrjes së afatit të veprimtarisë së OFL se, “ndikimi evident i pandemisë ka ndikuar drejtëpërdrejtë në këtë proces ku OFL ka referuar në SPAK 198 raste për 220 subjekte të Aktit normativ për 1493 pasuri dhe nga Gjykata e Posaçme kemi 88 vendime për 523 pasuri deri në datën 30.11.2020, të tjerat janë ende në proces ose janë kthyer në SPAK për plotësime.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan me shumicë votash, aktin normativ në fjalë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.