KESH rrit prodhimin ditor/ Ndalen shkarkimet në Fierzë e Koman, vetëm 300 m3/s në Vaun e Dejës

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën të ditur se ka mbyllur shkarkimet në dy nga HEC-et mbi kaskadën e Drinit, ndërsa në HEC-in e tretë, atë të Vaut të Dejës shkarkimet kanë rënë në 300 m3/s.

Aktualisht, thekson KESH, janë angazhuar të gjitha kapacitetet gjeneruese, me një prodhim ditor prej 29 mijë MWH (në ditë) duke plotësuar të gjithë nevojat për energji elektrike të konsumatorit fundor.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, niveli i liqenit në HEC-n e Fierzës llogaritet 288.76 m nga 296 m niveli maksimumi i lejuar. Në HEC-in e Komanit niveli i liqenit është 170.70 m, nga 176 m niveli maksimumi i lejuar, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës, 72.14 m, nga 76 m niveli maksimum i lejuar.

Bazuar në të dhënat e orëve të fundit të raportit Hidro-Meteorologjik, niveli i shkarkimeve në HEC-in e Fierzës nga 400m3/s janë ndalur plotësisht, në HEC-in e Komanit, shkarkimet nga 500 m3/s janë ndalur plotësisht dhe në HEC-in e Vau të Dejës, shkarkimet nga 700 m3/sek janë ulur në 300 m3/s.

KESH bën të ditur se do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje situatën hidroenergjetike të kaskadës dhe do të vijojë të marrë gjithë masat e nevojshme për administrimin e prurjeve dhe ruajtjen e niveleve optimale, duke garantuar sigurinë e plotë të digave dhe shmangien e impaktit social mjedisor në zonat e banuara. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.