Gjonaj takim me ambasadorin Bucci/ Në shkurt, marrëveshje mes Universitetit të Salentos dhe Ministrisë së Drejtësisë

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj priti sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me të cilin zhvilloi një takim me rëndësi për nxitjen e axhendave të përbashkëta midis dy shteteve.

“Me ambasadorin Bucci diskutuam për marrëveshjen mes Universitetit të Salentos dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, e cila do të lidhet në Tiranë me rektorin e këtij universiteti, profesor Fabio Pollice, në fillim të muajit shkurt”, njoftoi Gjonaj pas takimit.

Sipas saj, kjo marrëveshje vijon takimin e mëhershëm me profesor Pollice, i cili me entuziazëm mirëpriti kërkesën për një bashkëpunim konkret midis trupës së profesorëve të ligjit të Universitetit të Salentos, Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare dhe universiteteve të Shqipërisë.

“Me ambasadorin Fabrizio Bucci gjithashtu bashkëbiseduam edhe për trajnimin e mundshëm nga ana e autoriteteve të Drejtësisë Italiane të trupës së sigurisë të Regjimit 41Bis në Shqipëri për të marrë eksperiencën dhe praktikat më të mira nga një vend model për trajtimin e këtij regjimi të posaçëm”, u shpreh ministrja Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.