COVID-19/ Teatri Kombëtar vazhdon shfaqjet online për publikun

TIRANË, 19 janar/ATSH-Bledi Naska/ Teatri Kombëtar vazhdon që të jetë aktiv sa i përket shfaqjeve të projekteve të ndryshme të cilat kanë qenë të suksesshme për këtë institucion.

Këto shfaqje të cilat transmetohen online në rrjetet sociale, janë pjesë e iniciativës që ka ndërmarrë “Teatri Kombëtar” për të qenë sa më afër publikut të tij artëdashës në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Kjo iniciativë është emërtuar “The show must go ON” dhe është e mundur të ndiqet vetëm online në kanalin zyrtar të “Teatrit kombëtar” në Facebook.

Ditën e premte më datën 22 janar në orën 18-00 publiku do të mund të ndjekë live në facebook projektin “Poezi dhe prozë nga autorë shqiptarë dhe të huaj”. Këto materiale do të vijnë të interpretuara nga trupa e aktorëve të teatrit.

Ditën e shtunë më datë 23 janar ora 18-00 do të transmetohet vepra “Opera për 3 groshë”. Ky projekt i vënë në skenë në vitin 2016  vjen e interpretuar nga disa prej emrave më të njohur të “TK” si Alfred Trebicka, Arben Derhemi, Olta Gixhari, Eva Alikaj Rajmonda Bulku, Erjona Kakeli etj. Vepra mban autorësinë e Vaclav Havel dhe është e shkruajtur në vitet 1970. Kjo vepër është vënë në skenë nga regjisori Mehmet Xhelili.

Kurse ditën e diel më datë 24 janar në orën 18-00 për publikun do të vij një tjetër sukses i repertorit të “TK” ndër vite. “Zonja e bujtinës” është vepër e cila është e shkruajtur në shek. XVIII nga autori Carlo Goldoni. Kjo vepër është vënë për herë të parë në skenë në Venecia në vitin 1752. Në skenën e “TK” vepra u vu në skenë në vitin 2008 me regji të Hervin Culit dhe në interpretimin e Eni Janit, Genci Fugës, i ndjeri Fatos Sela etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.