Borxhi publik nuk rrezikon stabilitetin financiar/Investimet e dyfishuara do të ndikojnë në rritjen ekonomike

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Borxhi publik nuk rrezikon stabilitetin financiar të vendit.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përjavshme për shtyp me fokus ekonominë theksoi se borxhi i rritur për arsye objektive nuk është i rrezikshëm, ndërsa shtoi se falë investimeve në vend do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi.

“Për rrezikun e stabilitetit financiar, mund të them se nuk ka asnjë rrezik”, – deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, ka shumë peshë në gjykimin për borxhin risku i financimit të borxhit.

“Ajo që ka shumë peshë në gjykimin për borxhin, është risku i financimit të borxhit. Nëse risku i financimit është i lartë, atëherë borxhi është i lartë. Borxhi i rritur për arsye objektive nuk është i rrezikshëm. Thuajse është dyfishuar sasia që nga ky borxh investohet për njerëzit, do të ndikojë shumë në rritjen ekonomike dhe në shëndetin e ekonomisë. Jam optimist për këtë”, – deklaroi Rama.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se zgjerimi i borxhit është një fakt për 2020, por theksoi ajo objektiv mbetet konsolidimi fiskal.

”Rritja e borxhit në prodhimin e brendshëm bruto është një parashikim që ka ndodhur jo vetëm në vend, por në gjithë botën. Ne nuk jemi goditur nga një situatë e vështirë, por jemi goditur nga dy situata të vështira, tërmeti dhe pandemia. Objektiv është konsolidimi fiskal. E kemi bërë fakt në 5 vitet e shkuara dhe do ta bëjmë fakt dhe në 5 vitet e ardhshme. Konsolidimi fiskal nënkupton një ulje të borxhit në afat të mesëm i parashikuar 78.6% vitin që vjen”, – tha Denaj.

Ministrja Denaj evidentoi po ashtu se vijmë nga një ulje e konsiderueshme e kostos së borxhit.

“Vijmë nga një ulje e konsiderueshme e borxhit në vite, konkretisht nga 8.68 % të borxhit të brendshëm në 3.58 % në 2020-ën. Në mesatare nga 6.21 % në 2.92 %. Por ka edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm të menaxhimit të borxhit, ai se sa lekë është investuar për çdo 100 lekë të marrë borxh. Dhe këtu dua të ritheksoj disa periudha. Nëse marrim 2008-2013 për çdo 100 lekë të marrë borxh, janë investuar 117 lekë, ndërsa në periudhën 2014-2020 për çdo 100 lekë borxh janë investuar 169 lekë, ndërsa në vitin 2022 parashikojmë të çojmë këtë shifër në 245 lekë”, – deklaroi ministrja. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.