Vaksinimi antiCovid/ Balla: Shqipëria, në të njëjtën fazë me vendet e BE për të mbrojtur mjekët dhe infermierët

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot Kuvendi miratoi tre akte normative që kanë të bëjnë me marrëveshjen kuadër me “Pfizer” për sigurimin e një sasie të parë prej 500 mijë vaksinash.

Duke folur në një intervistë televizive për vitin e kaluar dhe problematikat sa i përket pandemisë dhe procesit të rindërtimit, Balla tha se, “Kuvendi ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet që lidhen me procesin e rindërtimit”.

“Dhe ndërkohë që duke qenë se jemi në fillim të sesionit të ri parlamentar Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot të tre aktet normative që kanë të bëjnë me marrëveshjen kuadër me ‘Pfizer’ për sigurimin e një sasie të parë prej 500 mijë vaksinash, të cilat do të jenë në ditët në vijim, krahas vaksinave që kemi siguruar nga një vend mik dhe partner për t’i vënë në dispozicion të qytetarëve”.

“Ne jemi sot, Shqipëria, krahas vendeve anëtare të BE, është në të njëjtën fazë me ta për të mbrojtur ata që janë në vijën e parë të frontit që janë mjekët dhe infermierët. Kemi ecur me një numër goxha të kënaqëshme në javën e parë. Ndërkohë që prej javës tjetër numrat do të rriten. Dhe ne kemi kapacitete diku tek 12 mijë të vaksinuar në ditë në fazën që do të hyjmë në fazën intensive të procesit”, tha Balla.

Balla solli në vëmendje një shkrim tek CNN International që vinte në dukje një mungesë barazie në aspektin global. 95 % e vaksinës botërore ndodhet vetëm në 10 vende nga sasitë e shpërndara deri tani.

“Besoj biem të gjithë dakord që në këtë aspket BE duhet të ishte treguar më solidare. Sa kohë vendet e Ballkanit Perëndimor, janë vende ose që kanë marrë statusin e vendit kandidat, ose janë duke negociuar marrëveshje, ose kanë firmosur marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, për 23 milionë banorë të Ballkanit Perëndimor, unë mendoj që në ditët e vaksinimit që ishin 26-27-28 dhjetori duhet të ishin përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtë e kanë ndarë me mua apo me kryeministrin shumë kolegë të PE, të cilët e kanë parë si një deficit në pjesën e programimit nga ana e BE që është se Ballkani Perëndimor duhej të ishte trajtuar njësoj, sepse në fund të fudnit bëhet fjalë për çështje fryme pas një viti të trazuar që solli shumë të panjohura”, u shpreh Balla.

Balla tha se “ky Kuvend, ky mandat që filloi në shtator 2017 ka pasur si objektiva të punës parlamantare çuarjen përpara të reformës në drejtësi që ishte kryereforma, e cila ishte miratuar me konsensus në korrik të vitit 2016, por që shoqërohej me një paketë mbi 30 ligje të cilat kërkonin votën në Kuvend”, u shpreh Balla.

Balla u shpreh se, “të gjitha ato ligje u miratuan. Pjesa më e madhe ose të gjitha ato kanë pasur asistencën e nevojshme të partnerëve tanë, SHBA dhe BE”.

Ndërkohë, shtoi Balla, “jemi në fazën që të gjitha institucionet e reja që dolën nga reforma në drejtësi u ngritën. U plotësuan vakancat në ato që i takonin Kuvendit. Por tashmë në rastin e Gjykatës Kushtetuese të gjitha vakancat janë përmbushur dhe priten vetëm ato vende që i takojnë Gjykatës së Lartë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.