Vaksina antiCovid/ Kryemadhi: Rama e ka detyrim, shqiptarët paguajnë taksa

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi sot se blerja e vaksinës është detyrim i qeverisë.

Në një intervistë televizive, Kryemadhi tha se, kryeministri nuk ka pse të bëhet lypës pasi e ka detyrim të sigurojë vaksinën.

Ajo tha se ai dhe qeveria e tij të mos i dërgojë paratë për koncesione pasi qytetarët paguajnë taksa por të sigurojë vaksinën.

“Shqipëria nuk ka nevojë për lypës, sepse shqiptarët paguajnë taksa, çdo ditë, edhe pse pandemia dhe sistemi, ky lypësi ua mbylli bizneset. Edhe pse u tha që do t’ju japë paketën ekonomikë, akoma s’ka shpërndarë të parën, e imagjino më të dytën e të tretën, ndërkohë që Kosova po shpërndan paketën e tretë”, u shpreh Kryemadhi.

“Ky nuk ka pse të thotë lypës, sepse ky të mos i japë paratë koncesionarëve dhe miqve të vet, por të blejë vaksinën, sepse e ka për detyrë ta bëjë. Shqiptarët paguajnë sigurime shëndetësore, shqiptarët paguajnë taksa, shqiptarët paguajnë çdo detyrim, dhe ky nuk mund të justifikohet sikur është lypës”, u shpreh Kryemadhi .

Duke komentuar vizitën e një delegacioni shqiptar në Dubai, kryetarja e LSI, u shpreh se për “atë darkë duhet të bëhej transparencë ku të sqaroheshin pozicionet e delegacionit shqiptar, ministrat së bashku me biznesmenët”. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.