Topalli-Patozi: Bashkëpunim në kohë të jashtëzakonshme

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli dhe kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi kanë shprehur sot qëndrimin e tyre të përbashkët për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë televizive, Topalli u shpreh se këto parti janë krijuar për situatën e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi.

“Është një lëvizje, një sfidë e jashtëzakonshme në kohë të jashtëzakonshme. Dhe siç ndodh që në kohë krizash ka gjithmonë një oportunitet mendoj se kësaj radhe mund të ketë një oportunintet për të ndalur një krizë shumëplanëshe”, tha Topalli.

Ajo u shpreh se, “ne jemi të dy bashkë me të njëjtin qëllim. Natyrisht me dëshirën më të madhe për të dalë me të njëjtën listë. Por në politikë ka një mbizotërim dhe mbizotërimi kësaj radhe është qëllimi i përbashkët”.

Topalli mohoi se në listë do të jenë ish-zyrtarë të PD si Arben Imami, Ilir Rusmali apo Ridvan Bode.

Topalli tha se, “në listat tona nuk ka politikanë karriere, janë emra jopolitikë. Nëse flasim për ndryshim duhet të sjellësh dhe figura që sjellin ndryshim”.

Ndërsa kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi tha se, bashkimi me partinë Lëvizja për Ndryshim është një mënyrë për të arritur sfidat e përbashkëta në qeverisje.

Patozi u shpreh se, e rëndësishme është që listat e tyre do të jenë të hapura dhe ato janë të gatshëm që të tërhiqen në momentin që ka një votë plus një kandidat.

“Ne mund të kandidojmë të dy në Tiranë, në Vlorë apo diku tjetër. Pika e parë që ne na bashkon është koncepti që kemi për garën “fair”. Që do të thotë ne kemi pranuar listën e hapur brenda nesh. Megjithëse Kodi Elektoral kapërceu Kushtetutën, e shkeli Kushtetutën me syshkeljen e Lulzim Bashës në distancë, por me votat e Edi Ramës në parlament, ne prapë së prapë duam që brenda nesh, çdo njeri që do kandidojë nën siglën, apo nën koalicionin e mundshëm tonin, duhet të ketë një kusht të panegociueshëm, që është të pranojë listën e hapur. Që do të thotë votat shkojnë tek ai që merr numrin më të madh”. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.