SHBA – Bllokohet Capitol Hill pas një zjarri pranë Kongresit, evakuohet personeli i Biden

UASHINGTON, 18 janar /ATSH-ANSA-AFP/ – E gjithë zona e Capitol Hill, ku ndodhet Kongresi amerikan, është vendosur në bllokim pas alarmit të sigurisë.

Sipas informacioneve të para, alarmi u shkaktua nga një zjarr në afërsi të Kongresit amerikan.

Policia e Kongresit amerikan njoftoi se një zjarr ishte raportuar disa blloqe larg ndërtesës nën një urë aty pranë, ndërkohë që ligjvënësit dhe personeli tjetër në Kongres u informuan menjëherë pasi tymi shihej nga larg.

Atyre iu kërkua që të qëndronin brenda ndërtesave dhe larg dritareve dhe dyerve të jashtme.

Departmenti njoftoi se nuk janë regjistruar lëndime. Personeli i presidentit të zgjedhur, Joe Biden, është evakuuar nga zona.

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit po shqyrtojnë anëtarët e Gardës Kombëtare për të siguruar që ata do të jenë të sigurt ditën e ceremonisë së përurimit të presidentit, Joe Biden.

Pas sulmit në Capitol Hill më 6 Janar, kur mbështetësit e presidentit të tanishëm, Donald Trump sulmuan selinë e Kongresit, doli se disa prej protestuesve kishin lidhje të kaluara ose të tanishme me ushtrinë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.