“Qytetarët të denoncojnë çdo rast”/ Rama: Nuk duhet lejuar të njolloset sakrifica e bluzave të bardha

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inkurajoi sot të gjithë qytetarët që do të hasen përballë një padrejtësie të kryer nga cilido punonjës i administratës shtetërore të denoncojnë. Por, nga ana tjetër, Kryeministri tha se nuk duhet lejuar të njolloset sakrifica e bluzave të bardha që edhe jetën e humbën për të shpëtuar jetë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kryeministri komentoi denoncimin nga ana e një qytetareje të sanitares pranë spitalit COVID 2 “Shefqet Ndroqi”.

“Një moment i trishtueshëm, harbutëri e babëzi e pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm. Por nga ana tjetër aq sa i trishtueshëm ishte edhe pozitiv fakti që një qytetare denoncoi, një medie investigative e mbështeti këtë qytetare dhe mesazhi u dha i qartë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se jemi në gatishmëri të plotë për të bërë atë që na takon dhe reaguar ashtu si na takon ndaj çdo shfaqjeje abuzive, kudo qoftë, por sidomos në sistemin shëndetësor.

“Qytetarët të mos heshtin, të denoncojnë çdo rast të çfarëdo niveli abuzimi. Nuk duhet lejuar që pakica e pakicës të njollosë bluzat e bardha të Republisë së Shqipërisë, të njollosë sakrificat e tyre, që edhe jetën e humbën për të shpërtuar jetë, që çdo ditë e kalojnë me rrezikun e kërcënimit të jetës së tyre e të të dashurve të tyre e vazhdojnë të rezistojnë në vijën e zjarrit”, deklaroi shefi i qeverisë.

Kryeministri u shpreh se është e patolerueshme që vazhdon e do të vazhdojë të njolloset nga elementë të tillë bluza e bardhë e mjekut, por shtoi ai, po kaq e patolerueshme është që kushdo që bie viktimë e këtij abuzimi të heshtë.

“Nëse ka ende vështirësi dhe ne e kemi parë këtë në të gjitha anketimet e bëra në sektorë të ndryshëm, nëse ka ende mungesë besimi te organet e drejtësisë, është plotësisht e justifikueshme që dikush e ka më të lehtë të shkojë te një medie investigative ta bëjë këtë gjë”, u shpreh ai.

“Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia për humbjen, por edhe mirënjohjen e respektin qytetares që mori përsipër të hedhë hapin e denoncimit. Mirënjohje e respekt gazetarëve e emisioneve për kontributin e madh e të munguar. Një goditje e tillë përmes lirisë së shprehjes, përmes një medie ka më tepër vlerë se miliona fjalë analizash e opinionesh të dhëna kuturu e në hava”, vuri në dukje Kryeministri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.