Politikat mbështetëse minimizuan efektet e pandemisë në ekonomi/ Ibrahimaj: Në fund të dhjetorit, 2800 biznese më shumë se në shkurt

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Pavarësisht situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19, numri i biznesve në vend është rritur.

Kjo u bë e ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj gjatë një interviste në media.

“Në shkurt të vitit të kaluar numëroheshin më pak se 112 mijë biznese ndërsa në dhjetor ishin mbi 113 mijë. Bëhet fjalë për një diferencë pozitive prej mbi 2800 biznese”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se impakti që pati pandemia në ekonominë e vendit tregoi se nëpërmjet politikave të saj, qeveria ka arritur të minimizojë efektet në ekonomi.

“Ecuria e mbledhjes së të ardhurave në rritje gjatë viteve të fundit ashtu si edhe e vendeve të punës nuk tregon për një ekonomi të dobët por qëndrueshmëri në politikat e rritjes”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimaj, 9 mijë bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv nuk konsiderohen të mbyllura pasi ato mund të rihapen sërish dhe kryesisht bëhet fjalë për biznese familjare.

Duke folur për treguesit e ekonomisë, Ibrahimaj theksoi se në nivel 9-mujori për 2020 ka pasur një rënie me 5% të prodhimit të brendshëm bruto.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve foli dhe në terma konkrete për bizneset që kanë pasur goditje më të fortë nga pandemia dhe ato që nuk janë ndikuar apo që mund të kenë pasur dhe rritje. Për bizneset që kanë pasur rritje ajo përmendi farmaceutikën, tregtinë ushqimore dhe sektorin e ndërtimit, kurse për bizneset më të goditura renditi fasonerinë dhe turizmin.

“Bizneset që kanë pasur një aktivitet ekonomik të njëjtë ose të pandryshuar vitin e kaluar, mbase edhe në rritje, kanë qenë bizneset e farmaceutikës që kanë pasur një kërkesë të shtuar gjatë këtij viti por gjithashtu dhe biznesi i tregtisë ushqimore ka pasur një ecuri normale pasi në asnjë moment nuk është ndërprerë. Biznese me ecuri normale janë edhe bizneset në sektorin e ndërtimit pasi përveç ecurisë së sektorit në vetvete ka qenë i ndikuar edhe nga procesi i rindërtimit”, u shpreh Ibrahimaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.