Nis sesioni i ri parlamentar/ Ruçi: Tre arritje të mëdha të Kuvendit sesionin e kaluar

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi sot në nisje të sesionit të ri parlamentar se, gjatë sesionit të kaluar, u realizuan tre objektiva madhorë: bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese si një hap vendimtar i reformës në drejtësi; kryerja e reformës zgjedhore; dhe marrja e vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave.

“Kuvendi ka meritën e padiskutueshme në këto tri arritje. Në fillim të sesionit që kaloi, duke pasur edhe mbështetjen tuaj, deklarova se me hir apo me pahir, Gjykata Kushtetuese do të miratohet brenda sesionit dhe gjyqtarët kushtetues do të fillojnë nga puna më 1 janar 2021. Dhe ja ku jemi sot. Gjykata Kushtetuese është funksionale, me 7 anëtarë dhe me kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. Makineria e qeverisjes së sistemit të drejtësisë është pothuajse plotësisht në funksion, duke pasur parasysh që Gjykata e Lartë, edhe pse në proces plotësimi, është sot në punë. Me këtë rast, në emër të Kuvendit, i bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira në plotësimin e Gjykatës së Lartë të përshpejtojnë ritmet për plotësimin e këtij organi të rëndësishëm të sistemit”, tha Kreu i Kuvendit.

“Miratimi i paketës ligjore të reformës në drejtësi nga legjislatura e kaluar ishte një proces i vështirë. Por ndërtimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit është disafish më i vështirë sepse këtu bëhen betejat ligjore dhe morale për ndërtimin e sistemit. Sukseset për ndërtimin e këtyre organeve i dhanë legjislaturës kredenciale të merituara”, u shpreh Ruçi.

“Në kryerjen e reformës në drejtësi, në raste të caktuara ne u detyruam të ecim ngadalë, por kurrë nuk pranuam të ndalojmë, të ktheheshim prapa jo e jo. Vendosmëria jonë për ta fituar këtë betejë, mposhti çdo rezistencë, kapërceu çdo pengesë. Tashmë sistemi ka filluar të japë drejtësi dhe jo të shesë vendime gjyqësore, siç ka ndodhur rëndom për tri dekada. Tregu informal i sistemit të drejtësisë po zëvendësohet nga një sistem me integritet, në shërbim të Republikës dhe qytetarëve. Duke ndërtuar këtë sistem, ne po realizojmë të drejtën e shqiptarëve për drejtësi”, tha Ruçi.

“Në fillim të sesionit të kaluar, premtova se reforma zgjedhore do të miratohet.  Dhe ja ku jemi sot. Shqipëria ka një Kod Zgjedhor të ri, institucione dhe infrastrukturë zgjedhore të re dhe po shkon drejt zgjedhjeve të 25 prillit, drejt një gare zgjedhore me kushte dhe akses të barabartë”, u shpreh Ruçi.

Ai shtoi se, “në këto zgjedhje, për herë të parë, mundësohet që emigrantët shqiptarë të votojnë nga vendet ku janë, duke e lidhur edhe më fort Diasporën me zhvillimet politike dhe kontributet për të ardhmen e vendit. U bëj thirrje KQZ-së të hartojë procedura sa më praktikë e fleksible për realizimin e këtij procesi dhe emigrantëve ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi e të kontribojnë për të ardhmen e Shqipërisë”.

Ruçi nënvizoi se, “kjo legjislaturë, sidomos sesioni që kaloi, do të mbahet mend edhe për një arritje tjetër, për të cilën Kuvendi ka kontribut të pazëvëndësueshëm: Më 26 mars 2020, Këshilli Europian miratoi vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky ishte një sukses i merituar për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe një arritje për BE-në, sepse hapet drejt një rajoni me rrënjë e aspirata europiane dhe zgjeron kufijtë e vet politikë drejt atyre gjeografikë e kulturorë. Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetë një njollë në hartën politike të Europës, sepse është një mozaik i pasur në hartën kulturore të saj”.

Ruçi përshëndeti opozitën parlamentare për shërbimin që i bëri Shqipërisë dhe Kushtetutës.

“Kam ndjekur me vëmendje debatet midis opozitës dhe shumicës, të cilat shpesh e kanë kaluar etikën. Por debatet që kemi bërë dhe ato që do të vazhdojnë gjatë këtij sesioni, shëndoshin veprimtarinë parlamentare. Në rrethanat e krijuara, Kuvendi nuk u mjaftua me legjitimitetin e ekzistencës, funksioneve dhe vendimeve të tij. Respekti kushtetues për opozitën parlamentare u plotësua nga dora e zgjatur për bashkëpunim me opozitën jashtëparlamentare. Kuvendi pranoi që, ashtu si djali plangprishës u kthye në familje, opozita jashtëparlamentare të kthehej në shtëpinë e shqiptarëve, të pranohej në vendimmarrjen parlamentare dhe të institucioneve, të cilat kishte nisur t’i gjuante me gurë. Kuvendi i krijoi mundësi opozitës që kishte braktisur sistemin të bashkëpunonte për reformat, dhe respektoi qytetarët, që e kishin votuar opozitën jo të sillej rrugëve, por të kontribonte në institucione per interesin publik”, tha Ruçi.

Ruçi renditi edhe objektivat e sesionit të ri parlamentar.

“Zbatimi i Planit të Veprimit të Kuvendit për jetërsimin e rekomandimeve për degën legjislative në Raportin 2020 të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe fuqizimi i rolit rolit mbikëqyrës të Kuvendit në çështjet e integrimit europian. Shtimi e plotësimi i listës së kanditatëve zëvëndësues të institucioneve të Vetingut. Për realizimin e këtij objektivi, do të ringremë komisionet e posaçme parlamentare për zgjedhjen e kandidatëve, sipas listës së vitit 2017.

Rritja e transparencës parlamentare, nëpërmjet përfshirjes sa më të madhe të medias, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe publikut në procesin legjislativ, kontrollin parlamentar dhe aktivitete të tjera parlamentare.

Standardizimi i procedurave të kontrollit parlamentar dhe intensifikimi i përdorimit të të gjithë mekanizmave të kontrollit, të parashikuara në rregulloren e Kuvendit, me qëllim përfaqësimin sa më mirë të zgjedhësve dhe rritjen e llogaridhënies ndaj publikut. Kjo do të realizohet nëpërmjet miratimit të Manualit të Mbikëqyrjes Parlamentare.

Përmirësimi i funksionimit të veprimtarive parlamentare, nëpërmjet vënies në eficiencë të plotë të sistemit të qëndërzuar kompjuterik dhe sistemit audio-video.

Fillimi i punës për ngritjen e Institutit Parlamentar, si një shërbim i ri modernizues i Kuvendit, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokrat të Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e qeverisë së Zvicrës”, përfundoi Ruçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.