Meta: Partitë të promovojnë figura të reja e të pakonsumuara

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se të gjitha partitë duhet të promovojnë figura të reja, të pakonsumuara dhe pa probleme me dekriminalizimin.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në qytetin e Vlorës, tha se, “më duket se LSI i paska punët shumë mirë derisa paska kaq shumë shqetësime rreth LSI-së, por kjo nuk është çështja ime”, i pyetur për largimet nga kjo parti.

“Unë jam këtu për të qenë transparent para banorëve të Selenicës, për të qenë transparent para banorëve të Orikumit, apo edhe Vlorës, por edhe të gjithë shqiptarëve që kanë interes për projekte të tilla”, u shpreh Meta.

Meta tha se, “jam i sigurt që zgjidhja më e mirë për të gjithë çështjen do të jetë vetëm 25 prilli”.

“Më vjen shumë keq të merrem me çështje që nuk më takojnë aspak mua. Edhe kam një sygjerim për të gjithë partitë, të promovojnë figura të reja, të pa konsumuara. Figura, të cilat do u japin shpresë të rinjve në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, për të qëndruar këtu, për të jetuar këtu dhe për të jetuar si qytetar europian”, tha presidenti.

Meta tha se ishte në Selenicë ku takoi përfaqësues të komunitetit të bashkisë Selenicë, të cilët theksoi Meta, “që në muajin shtator kanë paraqitur një peticion edhe tek Presidenti i Republikës, përveç institucioneve të reja lidhur me shqetësimin e tyre për heqjen e financimit nga një marrëveshje që kishte vendi ynë me fondin saudit për Lotin e 4-t të rrugës së Lumit të Vlorës, e cila ishte në interes të bashkisë së Selenicës”.

Meta tha se, “në kundërshtim jo vetëm me premtimin, jo vetëm me marrëveshjen e miratuar dhe me përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit dhe të qeverisë kemi një heqje të fondeve në mënyrë jo të ndershme dhe transparente të këtij projekti”.

Ndërsa lidhur me projektin për rehabilitimin dhe ndërtimin e objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum, Meta tha se, “është tepër e qartë dhe flagrante që qeveria dhe institucione të tjera kanë shkelur Kushtetutën, kanë shkelur ligjin dhe kanë kërkuar që Presidenti të noterizojë këto shkelje përmes dhënies së drejtës së tyre për të nënshkruar një marrëveshje, e cila ishte negociuar pa marrë autorizimin nga Presidenti për negociata”.

Më herët, Presidenti Meta ishte në Kishën e Shën Athanasit në Selenicë.

Meta iu bashkua lutjeve të banorëve të zonës për shërim të shpejtë e shëndet të plotë për të afërmit e tyre dhe të gjithë shqiptarët e prekur nga COVID-19. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.