Marrëveshja me Pfizer/ Murrizi: Çdo deputet ka të drejtë të marrë informacion

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë “Lëvizja Demokratike Shqiptare” Myslym Murrizi kërkoi sot transparencë mbi marrëveshjen me kompaninë “Pfizer” për vaksinën kundër COVID-19.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, Murrizi tha se çdo shqiptar duhet të dijë nga vjen vaksina, kush e ka certifikuar, sa e ka çmimin dhe kur do të hyjë në Shqipëri, ashtu si dhe cila kategori e shqiptarëve do të vaksinohet fillimisht.

Sipas tij, kompania nuk ka të drejtë t’i kërkojë shtetit të miratojë marrëveshje sekrete.

“E mirëkuptoj mbajtjen sekret të shtetit që dhuroi vaksinat, por kompania nuk ka të drejtë t’i kërkojë shtetit të mbajë sekret asnjë marrëveshje”, tha Murrizi.

“Çdo deputet i pajisur me certifikatë sigurie që nesër ka të drejtë të marrë informacion lidhur me marrëveshjen e nënshkruar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19”, deklaroi Murrizi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.