Kaskada e Drinit/ Bejtja: Prodhimi 27 milionë kilovat/orë në ditë, në monitorim për reshjet e fundjavës së ardhshme

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja deklaroi sot se situata në kaskadën e Drinit është nën kontroll dhe se po mbahet në monitorim për të minimizuar problemet që mund të sjellin reshjet e parashikuara në fundjavë.

“Presim reshje intensive në ditët në vijim në zonën e kaskadës së Drinit dhe në zonën e Shkodrës”, tha Bejtja.

Sipas Bejtës, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po shkarkon rreth 700 m3/s në hidrocentralin e Vaut të Dejës, një prej tre hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, kjo si masë paraprake për të qenë në pararojë të rritjeve të mundshme të nivelit të ujit nga reshjet që janë parashikuar në fundjavë.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se prodhimi i energjisë po vijon me kapacitet të plotë.

“Prodhohet mbi 27 milionë kilovatorë energji në ditë. Plotësohet nevoja vendase dhe bëhet e mundur edhe tregtimi dhe depozitimi në vendet fqinje, që të kesh mundësi ta marrësh në një kohë më të vonë“, deklaroi Bejtja.

Sipas tij, për menaxhimin e situatës u përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha kapacitetet menaxheriale të kaskadës që të mos ketë mbingarkesa dhe nga ana tjetër që të mos ketë prurje më të mëdha në lumenjtë Buna dhe Gjadri.

Bejtja shpjegoi edhe problemet që kanë hasur disa zona si lugina e Valbonës, ku tha se parashikohen projekte për të ndryshuar linjën e transmetimit./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.