ITALI – Qeveria Conte merr votëbesimin në Parlament

ROMË, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Qeveria Conte mori sot votëbesimin e Parlamentit me 321 vota pro, 259 kundër dhe 27 abstenim nga 607 të pranishëm.

Votimi ishte i qartë nga thirrja me emra. Çdo deputet kaloi para bankës presidenciale dhe deklaroi votën e tij me zë të lartë.

Conte u largua nga Parlamenti që prej fillimit të votimit.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte u kërkoi sot deputetëve pro-europianë dhe liberalë të bashkohen në shpëtimin e shumicës së tij të koalicionit pas braktisjes së një partie të vogël dhe për të shmangur gjithashtu mbërritjen në pushtet të të djathtëve sovranistë.

Mes krizës shëndetësore, që ka justifikuar masat e reja kufizuese këtë fundjavë, qeveria e koalicionit, krijuar që prej shtatorit 2019, është e kërcënuar të rrëzohet pas dorëheqjes së dy ministrave dhe një sekretari shteti të Italia Viva, formacion i vogël i drejtuar nga ish-kryeministri,  Matteo Renzi (2014-2016).

Conte mori sot fjalën në Dhomën e Deputetëve, ku partnerët e koalicionit, Partia Demokrate (PD, qendra e majtë) dhe Lëvizja Pesë Yjet (M5S, anti-sistem) kanë maxhorancën.

“Ky vend meriton një qeveri të bashkuar që punon me kohë të plotë për mirëqenien e qytetarëve të tij”, theksoi ai.

Ai më pas kërkoi mbështetje të qartë dhe transparente nga të gjithë deputetët që identifikohen me bazën e traditave më fisnike eropiane, liberale, popullore dhe socialiste, duke ngritur indirekt spektrin e sovranistëve që vijnë në pushtet./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.