GJERMANI – Maas: Sinjale pozitive për marrëdhënie më të mira Turqi-BE

BERLIN, 18 janar /ATSH-AFP-AA/ – Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas foli gjatë një vizite në Ankara për sinjale pozitive, për një përmirësim të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Bashkimit Europian, pas disa muajve tensione.

“Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë vizitë në minutën e fundit sepse ka pasur shumë sinjale pozitive”, deklaroi Maas në një konferencë shtypi me homologun turk, Mevlut Cavusoglu.

Për ministrin gjerman, është i nevojshëm shoqërimi i Ankarasë në iniciativat e saj për të rinisur marrëdhëniet e saj me BE në mënyrë që të shmanget një ringjallje e tensioneve.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, bëri thirrje për dialog të orientuar drejt zgjidhjes mes Turqisë dhe Greqisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve dhe për qetësimin e tensioneve në Mesdheun Lindor.

Në një deklaratë, të cilën ai e bëri në Berlin para se të nisej për në Ankara për bisedime me homologun e tij turk, Maas theksoi se Gjermania mirëpret iniciativat e fundit diplomatike nga Turqia dhe pret që ky moment pozitiv të vazhdojë.

“Njoftimet që vijnë nga Turqia dhe Greqia për rifillimin e bisedimeve, të cilat ishin ndërprerë që nga viti 2016, janë një hap i parë i rëndësishëm”, theksoi ai.

“Gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Europian, në gjashtë muajt e fundit, ne kemi bërë përpjekje të forta për rinisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Turqisë dhe Greqisë. Fillimi i këtyre bisedimeve tani ofron një mundësi të vërtetë për qetësimin e përhershëm të situatës në Mesdheun Lindor”, shtoi ai.

Maas tha se Turqia jo vetëm që ka bërë deklarata pozitive në lidhje me dialogun, por gjithashtu ka ndërmarrë hapa konkretë javët e fundit për të kontribuar në një qetësim në rajon dhe gjithashtu përfundoi disa nga aktivitetet e saj të shpimit në rajon përpara afatit.

“Momenti pozitiv që kemi dëshmuar në javët e fundit duhet të vazhdojë në mënyrë që të rivendosë besimin e humbur dhe të krijojë bazën për një dialog të orientuar drejt zgjidhjeve”, nënvizoi ai.

“Kjo është arsyeja pse unë po udhëtoj sot në Ankara për të inkurajuar homologun tim Mevlüt Çavuşoğlu të vazhdojë me vendosmëri dhe të konsolidojë kursin konstruktiv të javëve të fundit”, shtoi ai.

Turqia dhe Greqia njoftuan javën e kaluar se do të rinisin bisedimet më 25 janar në Stamboll pas një ndërprerje katërvjeçare.

Bisedimet pritet të përqendrohen në mosmarrëveshjet dypalëshe, duke përfshirë demarkacionin detar dhe të drejtat e shpimit në rajon.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare nga Greqia dhe administratës Qipriote Greke, duke theksuar se pretendimet shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ankaraja dërgoi disa anije eksploruese vitin e kaluar për të kërkuar energji në Mesdheun Lindor, duke mbrojtur të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.