Eksporti i mandarinave nga Konispoli drejt Polonisë, Çekisë dhe Ukrainës

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Incentivat e mbështetjes së qeverisë dhe puna mbresëlënëse e fermerëve në skajin më jugor të vendit, në Konispol e kanë bërë “Luginën e prodhimit të Mandarinave” një nga zonat më të afirmuara në tregjet e BE-së.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve nga kjo zonë ku u njoh më nga afër me ecurinë e prodhimit bujqësor dhe specikfikisht me eksportet e mandarinave të afirmuara tashmë në tregjet e huaja.
‘Nuk ka sesi të mos befasohesh kur shikon këtë punë të mrekullueshme dhe kur dëgjon që agrumet tona, ato të “Luginës së Mandarinave” kanë arritur të gjejnë tregje të largëta si Polonia, Çekia dhe Ukraina”, – u shpreh Denaj.
“Bashkë me kryetarin e bashkisë Konispol patëm një bisedë të ngrohtë me Fatmirin, i cili me krenari na tregoi sesi te kjo pikë, bëhej grumbullimi, përpunimi e më pas përgatiteshin për eksport produkte me cilësi të lartë”, – tha ministrja.
“Pak rëndësi ka nëse është skaji më jugor i vendin apo zemra e tij. Kudo mund të gjesh njerëz që me vizion, punë të palodhur dhe durim arrijnë të zhvillojnë jo vetëm biznesin e tyre, por edhe të ndihmojnë ekonomitë e tjera familjare”, – u shpreh Denaj.
Fermerët e Xarrës në Konispol eksportojnë 95% të produkteve të tyre në vendet e Ballkanit dhe më gjerë.

Në Konispol kryeson prodhimi i agrumeve, ku numërohen rreth 500 ha tokë të kultivuara me varietete të ndryshme të portokalleve, mandarinave, limonëve dhe qitrove.

Mbështetja financiare e fermerëve të kësaj zone nga programi IPARD në një sërë agregatesh bujqësore që kalon vlerën e 260 mijë euro, ka bërë që produktet “Made in Albania” të jenë më konkurruese.

Nga 30 mijë tonë që prodhohen në vit, 20 mijë prej tyre shkojnë për eksport. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.