Efektet e pandemisë së COVID-19/ Eksportet u tkurrën me 9% gjatë vitit 2020

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Situata e krijuar prej pandemisë së COVID-19, ku u paralizuan për disa javë ekonomitë e të gjithë botës dhe u kufizua lëvizja e lirë e njerëzve dha efekt negativ në ecurinë e eksporteve shqiptare gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë vitit 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 272 miliardë lekë, duke u tkurrur me 9 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 605 miliardë lekë, duke shënuar edhe atë një rënie prej 6.8 %, krahasuar me një vit më parë.

Referuar statistikave, deficiti tregtar arriti vlerën 333 miliardë lekë, duke u ulur me 4.9 %, krahasuar me vitin 2019.

Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë “tekstile dhe këpucë” me -5.3 %, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3.5 %, “materiale ndërtimi dhe metale” me -1.2 %. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.