Dërralla: Mbi 25 mijë biznese e individë përfituan nga shtyrja e kësteve të kredive, 100 milionë euro të disbursuara nga garancitë sovrane

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Shtyrja me 3 muaj e afatit për ristrukturimin e kredive, është një tjetër masë që ndërmerr këtë fillimviti Banka Qendrore, për t’i ardhur në ndihmë individëve dhe bizneseve që kanë ende vështirësi financiare nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19.

Drejtori i departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Dërralla u shpreh se “për bankat ishte e nevojshme edhe një tjetër 3-mujor shtyrje, në mënyrë që të plotësonin të gjitha ristrukturimet e realizuara në bazë të analizave financiare”.

Gjatë një interviste televizive, ai tha se “kryesisht ky tremujor i fundit i ristrukturimeve i dedikohet bizneseve të cilët mund të kërkojnë ristrukturim e kredive të tyre, për aq kohë sa janë të ndikuar nga pandemia dhe situata ekonomike në përgjithësi”.

Sipas tij, me masat e marra për këtë vit dhe periudhën në vijim synojmë të mbajmë një tregues të qëndrueshëm të kredisë me probleme

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me shoqatën e bankave të nivelit të dytë ndërmori një moratorium duke shtyrë me 6 muaj afatet e shlyerjes së kësteve të kredive që nga marsi i viti 2020.

“Kanë përfituar nga kjo masë mbi 25 mijë individë dhe biznese për shtyrjen e kësteve të kredisë duke përfaqësuar gati 30% të portofolit total të kredive që kemi sot”, tha Dërralla.

Përsa i takon dy garancive sovrane që qeveria vuri në dispozicion të biznesit për likujditet, ai tha se “disbursimet kanë ecur me ritme të mira. Janë mbi 100 milionë euro të shpërndara në të dyja garancitë dhe numri i biznese që kanë përfituar është mbi 700. Nga këto, 560 biznese kanë përfituar në garancinë e pare dhe 200 në garancinë e dytë, pasi garancia dytë kishte vlera më të mëdha dhe adresonte mbështetje për bizneset më të mëdha”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.