COVID-19 – Qipro regjistron 84% turistë më pak në 2020

NIKOZI, 18 janar /ATSH-AFP/ – Pas katër viteve rekord, ishulli mesdhetar i Qipros ka regjistruar një rënie të numrit të vizitorëve me 84% në 2020 pasi u prek ndjeshëm nga epidemia e koronavirusit, njoftuan sot autoritetet.

Kriza shëndetësore ka shkatërruar industrinë thelbësore të turizmit për Qipron, me mbërritjet e vizitorëve që është ulur nga 3,97 milionë në 2019 në 631 609 vitin e kaluar, sipas statistikave zyrtare nga qeveria qipriote.

Sektori i turizmit zakonisht kontribuon rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke gjeneruar gati 2,7 miliardë euro në 2019.

Por mbërritjet e udhëtarëve kanë rënë pasi Qipro vendosi masa frenuese për të frenuar epideminë.

Ndalimet e hyrjes për udhëtarët nga vendet që zakonisht gjenerojnë një fluks të madh turistësh, përfshirë Britaninë, Rusinë dhe Izraelin, gjithashtu kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në sektor.

Karantinat e vendosura në të gjithë Europën gjithashtu e kanë bërë të vështirë jetën për udhëtarët.

Pandemia në këtë mënyrë i dha fund katër viteve rekord të njëpasnjëshme të mbërritjeve turistike, të cilat kishin ndihmuar ishullin të rikuperohej nga kriza financiare e vitit 2013.

Në dhjetor, u regjistruan vetëm 9,682 mbërritje, një rënie prej 91% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.