Bushati: Investimet që po ndërmarrim këtë vit, në nivel rekord prej 1 miliardë euro

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh se sfida  kryesore e qeverisë është ekonomia dhe përfundimi i të gjitha objekteve që janë në proces në kuadër të programit të Rindërtimit pas tërmetit.

Në një intervistë televizive, Bushati theksoi se, 2020 ka qenë një viti vështirë për Shqipërinë si nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, por edhe të situatës së krijuar nga pandemia globale.

“Investimet që po ndërmarrim këtë vit janë në një nivel rekord prej 1 miliard euro. Ndaj ekonomia dhe ritmet e rimëkëmbjes së ekonomisë do të jenë në nivel të kënaqshëm”, tha Bushati.

Duke u ndalur në procesin e vaksinimit antiCovid, ai tha se “qytetarët shqiptarë meritojnë të kenë shërbimin më të mirë të mundshëm dhe ky proces duhet të kuptojmë kërkon durim, po të kemi parasysh se vende më të mëdha kanë investuar më shumë dhe në disa raste kanë bllokuar sasira shumë të mëdha dhe për vende të vogla do të jetë pak më e vështirë sigurimi i vaksinave menjëherë”.

Bushati vlerësoi nisjen e vaksinimit në Shqipëri, fillimisht për grupin e mjekëve, që janë në vijën e parë të rrezikut, pasi siç tha ai “e dimë që shtrirja e këtij procesi në të gjithë popullatën ka pasur problematika edhe për vende shumë më të zhvilluara të Europës”.

“Në këto dy javë që vijnë, synojmë të kemi një vizion më të qartë si do të vijojmë me vaksinimin me grupet e tjera sepse një nga kushtet për t’iu kthyer jetës normale është një plan i qartë vaksinimi, ku ata që janë më të prekurit si p.sh të moshuarit, duhet ta fillojnë më përpara vaksinimin”, u shpreh Bushati.

Teoritë konspirative vetëm e dëmtojnë procesin e vaksinimit”, tha ai, ndërsa shtoi, “se janë kompani dhe vende të fuqishme në botë që prodhojnë këtë vaksinë”.

Duke u ndalur në ecurinë e fushën zgjedhore, Bushati tha se i jemi përshtatur takimit me elektoratin në kushtet e masave antiCOVID, sfida jonë është që të kemi sa më shumë qytetarë që do të votojnë PS-në.

“Në kushtet e masave antiCOVID, sot PS është në pikën më të avantazhuar për sa i takon teknologjisë dhe risive në kryerjen e fushatës elektorale. Synojmë t’i përgjigjemi qytetarëve me zgjedhjen e më të mirëve dhe jemi përditë pranë tyre”, tha Bushati.

“Pas pandemisë sfida e tretë që kemi është që të kemi sa më shumë qytetarë që të na mbështesin dhe të na japin një mandat pune, dhe jo për radhën e ideologjive që duhet të vijë në pushtet koncepti i rotacionit. Rotacioni nuk duhet të jetë vendimtar, por duhet të jetë vlerësimi i punës, ndaj po kërkojmë një mandat të tretë. Qytetarët nuk do të votojnë më, për t’i shërbyer rotacionit në favor të partive, por do të votojnë dhe vlerësojnë ata që bëjnë punë”, deklaroi ai.

“Ne mendojmë se PS ka njeriun më punëtor sot, që është Edi Rama”, tha Bushati.

Lidhur me prurjet në PS, të individë nga partitë e tjera, Bushati vuri në dukje se, “PS si partia më e madhe, ka vend për të gjithë. “Çdo qytetar është i mirëpritur aq më tepër edhe ata që mund të kenë eksperiencë për të sjellë në PS”, u shpreh ai.

Sipas tij, në çdo cep të Tiranës kemi 18 mijë anëtarë të PS dhe vetëm në 2 muajt e fundit jemi rritur me 3 mijë anëtarë të rinj, ndaj dhe shumë nga këto kanë qenë anëtarë të partive të vogla dhe sot po kuptojnë që në sistemin politik dhe në shoqërinë shqiptare nuk ka vend për 100 parti.

Ai theksoi se, në Tiranë janë 680 mijë votues dhe qarku i Tiranës do të vendosë për 36 deputetë, pra më shumë 1/3 e popullatës aktive është në Tiranë, prandaj beteja është e fokus në Tiranë.

“Kemi 927 qendra votimi dhe njerëzit e PS-së, janë pranë qytetarëve, se jemi zgjedhja më e mirë për t’i shërbyer aty”, u shpreh Bushati, dhe shtoi se “njerëzit do të shikojnë se kush punon më shumë për ta”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.