Basha kujton Pjetër Arbnorin: Politikan i rrallë, nuk bëri kurrë kompromis me të keqen

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kujtoi sot Pjetër Arbnorin në 86-vjetorin e lindjes, duke e cilësuar një politikan të rrallë, që nuk bëri kurrë kompromis me të keqen.

“Dua të kujtoj sot me nderim të veçantë ditëlindjen e Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, përkthyesit dhe humanistit të madh që kaloi 28 vite të rinisë së tij në burgjet famëkeqe të komunizmit”, tha Basha.

Kreu i PD-së shprehet se “Pjetër Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen, që nuk u epën para presioneve apo privilegjeve. Që deri ditën e fundit luftuan dhe u përpoqën për idealet e tyre pavarësisht vështirësive të kohës”.

“Siç thoshte vetë Mandela i Ballkanit, qëndresën ja kishte edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut politik. Frika, zilia dhe tundimi për privilegje, sipas tij ishin rrugët që na bashkojnë me të keqen. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, në rini si desident e më vonë si deputet dhe drejtues i parlamentit, Pjetër Arbnori i tejkaloi me sukses këto sfida, duke u shndërruar në politikanin model ku mllefi dhe hakmarrja për kundërshtarin politik nuk gjeti kurrë vend”, nënvizoi Basha.

Kryetari i PD-së Basha shprehet “le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, gjurmët e pashlyera të tij në historinë e Shqipërisë me urimin dhe shpresën se vlerat që ai solli në politikën shqiptare do të trashëgohen dhe nga brezat e rinj të politikës”./k.s/ /a.g/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.