Akoma nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX-it/ Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar me vaksinimin

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit ku u ratifikua marrëveshja me kompaninë “Pfizer” për vaksinat antiCovid se, përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar me vaksinimin.

“Nga njëra anë ne kemi siguruar me marrëveshjen me ‘Pfizer’-in akses për doza të mëtejshme, në rast se kështu do të gjykohet në vijim dhe nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë zgjedhjet e duhura në kohën e duhur, me potencialisht vaksina të tjera”, u shpreh Rama.

Rama nënvizoi se, “besoj që e keni parë dhe e keni ndjekur deklarimin e fundit të OBSH që ka folur me një shqetësim jo të vogël për katastrofën e mundshme morale në nivel global sigurisht, për shkak të mosgarantimit të barazisë së aksesit në vaksinim”, tha Rama.

“Kjo është një temë, – theksoi Kryeministri Rama, – që për ne që jetojmë në mes të Europës, në një rajon që përbëhet prej 6 vendesh që nuk janë anëtarë të BE, nuk është e panjohur. Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes ‘Pfizer’-it, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe faktikisht e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale, gjë që ka bërë që sot, përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar me vaksinimin”.

Rama tha se, “të gjitha vendet e rajonit ashtu, si dhe vendet e tjera, prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses në vaksinë përmes COVAX-it, një platformë e ndërtuar pikërisht për t’iu dhënë mundësi të gjithëve që të aksesojnë vaksinën, pavarësisht statusit të tyre në aspketin ndërkombëtar, por një platformë që ende nuk është hapur. Që do të thotë, akoma nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX-it. Flitet se do të nisë së shpejti, por askush nuk e di ekzaktësisht se kur së shpejti”.

“Nga ana tjetër, – shtoi Rama, – ne kemi ndeshur në vetë të parë vështirësinë e marrëdhënieve bilaterale, në sensin e përcaktuar nga koncepti paraprak i BE, për shkak se ka edhe një element tjetër që duhet ditur dhe mbajtur parasysh, që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, qoftë për të shitur, qoftë për të shkëmbyer në kohë të ndryshme duhet patjetër që të marrin leje nga kompania ‘Pfizer’. Përndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu është e shkruar edhe në marrëveshjen që ne sapo kemi përfunduar dhe që do e ratifikojmë këtu në Kuvendin e Shqipërisë”, përfundoi Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.