“Nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë”/Rama për deklaratën e Ambasadës franceze: Pa lidhje me qëndrimin tim, s’kam sulmuar asnjë aleat

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Rama ka reaguar lidhur me deklaratën e ambasadës së Francës në Tiranë përsa i përket qëndrimeve të shprehura nga ai për shpërndarjen e vaksinave antiCovid për vendet e Ballkanit.

Rama ka shprehur qëndrimin e tij duke iu përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale.

“Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situate konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve te rajonit tone në shpërndarjen e vaksinës kundër COVID nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e Ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjelle shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE”, shprehet Rama.

“Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve”, tha Rama në përgjigjen ndaj komentuesit.

“Ankesa e Ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë”, theksoi Rama.

“Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e Ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi Ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje! Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, fare nuk dëgjoj po nuk mërzitem”, përfundoi Rama.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.