FOTO/ Rama në Mamurras, merr pjesë në fejesën e inxhinierit turk me vajzën shqiptare

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një ceremoni fejese të plazmuar në kantierin e lagjes së re të Laçit, mes Eldës, vajzës nga Mamurrasi dhe Burakut, djalit nga Stambolli.

Ndërsa vizitoi nga afër kantierin e rindërtimit në Kurbin, kreu i qeverisë mori pjesë edhe në fejesën e një vajze nga Mamurrasi dhe një inxhinieri turk nga Stambolli.

Rama i dhuroi vajzës së re që po fejohej, me profesion arkitekte, një buqetë me lule, ndërsa ishte i pranishëm edhe në vendosjen e unazave.

“Jeta është interesante. Erdha me Majlindën dhe Linditën dhe më thanë se Serveti fejon djalin nesër. Thashë çne paska marrë nusen nga Turqia të vijë këtu, jo thanë e ka fejuar me një gocë tonën”, tha Rama, ndërsa i dha çiftit të ri edhe një këshillë, të mos harrojnë prindërit.

Ndërkohë, që babai i dhëndrit kërkoi dorën e vajzës. “Në prezencën tuaj zoti kryeministër kërkoj vajzën tuaj për djalin tonë”, iu drejtua ai prindërve të vajzës.

 

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.