100-vjetori i kongresit të Bektashinjve/Meta: Nderojmë sot përpjekjet e heronjve dhe klerikëve që vuajtën nga regjimi

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Sot shënohet 100-vjetori i mbajtjes së kongresit Historik Bektashian.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.

“Sot është një ditë historike sepse mbushen 100 vjet nga kongresi i parë i Bektashinjve në Skarapar, më 17 janar 1921, një vit pas kongresit historik të Lushnjës, personalitete nga më të shquarit atdhetarë, kurorëzuan me sukses një prej kauzave më të rëndësishme atë të besimit, duke i dhënë frymë besimit bektashianë. Kjo ngjarje shënon një moment kyç në konsolidimin e shtetit. Udhëheqësit bektashianë të asaj kohe e patën kuptuar se zoti dhe kombi përbënin një lidhje unike të jashtëzakonshme. Roli i teqesë së Frashërit është i njohur për të gjithë, sidomos në ndikimin dhe formimin atdhetar të tre rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri. Kongresi miratoi statutin e parë të këtij guri të fortë themeli, në zhvillimet e ardhshme të selisë bektashiane. Përmes neneve të këtij statuti u sanksionuan shumë të drejta”- tha në fjalën e tij Presidenti.Meta u shpreh krenar që Selia e Shenjtë Bektashiane jo vetëm ngriti rrugën dhe eci e sigurt në gjurmët e Kongresit të Parë, por edhe është shndërruar në faktor aktiv të vëllazërisë fetare në Shqipëri e Ballkan.

“Nderojmë sot përpjekjet e heronjve dhe klerikëve bektashianë që vuajtën nga regjimi. Nderojmë Baba Reshat Bardhin që nuk u përkul dhe nuk e humbën besim, por i qëndruan diktaturës. Nderojmë Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj që vazhdoi këto tradita ndërkombëtare të shënuara në kongresin e Prishtinës dhe bëjnë përpjekjeje për të forcuar besim edhe në të ardhmen.. Edhe pas 30 viteve nga rënia e regjimit ende jo vetëm besimi bektashian, por edhe të tjerë kanë pengesa për të funksionuar në mënyrë edhe më efikase pranë besimtarëve të tyre. Është koha që shteti dhe të gjitha institucionet të respektojnë të drejtat kushtetuese të besimeve duke filluar nga kthimi i pronave institucioneve fetare dhe duke vazhduar me mbështetjen që ato meritojnë”,- tha Meta. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.