Laçi, kantier infrastrukture/ Investime në shkolla, kopshte e spital përveç blloqeve të reja të banimit me 727 apartamente

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Investimet që po kryhen në Laç, e kanë kthyer atë në një kantier të infrastrukturës, ku përveç blloqeve të reja të banimit me 727 apartamente të reja, po kryhen e një sërë investimesh të reja që do t’i ndryshojnë pamjen këtij qyteti.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Laç kantieret e infrastrukturës, i shoqëruar edhe nga kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

“10 kompani shqiptare, kompania turke Albayrak dhe afro 3000 punëtorë janë të angazhuar në kantieret e infrastrukturës, blloqeve të reja të banimit me 727 apartamente të reja, blloqeve ekzistuese që do të rikonstruktohen tërësisht, ujësjellësit të ri, 4 shkollave të reja e 3 rinkonstruksioneve të thella, 2 kopshteve të reja, si edhe spitalit të ri e godinës së bashkisë së re”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “për Krishtlindje e Vit të Ri Laçi do të jetë një qytet që nuk do ta njohin kur të kthehen për festa, ata që jetojnë jashtë tij”.

“Është fantastike, do të bëhet një zemër e re qytetit, ku do futen në shtëpi të reja 3500 banorë”,  tha Rama.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit Cara tha se “ka filluar puna në kantierin e dy pallateve të para dhe po punohet edhe për infrastrukturën e zonës. Kati i parë do jetë njësi shërbimi dhe 4 katet njësi banimi”.

Sipas saj, banorët e dëmtuar janë akomoduar në banesa me qira dhe u paguhet bonusi.

“Paralelisht kemi filluar edhe riparimin e pallateve dhe ambienteve të përbashkëta. Do punohet paralelisht edhe në fasadat e lagjeve të tjera edhe në kantieret e pallateve të reja”, – shtoi Cara.

Cara u shpreh se “kemi mbyllur edhe pjesën e  spitalit edhe pritet që sot ose nesër firma të fillojë spitalin e ri. Kanë filluar gjithashtu punimet për shkollën 9-vjeçare në Sanxhak, ka filluar rikonstruksioni në 3 shkolla si dhe dy sheshe ndërtimi për dy kopshte një në Mamurras e një në Laç”.

Lidhur me rehabilitimin e përroit, kryebashkiakja Cara tha se “me këtë investim, qyteti i Laçit hiqet nga harta e përmbytjeve. Po punohet paralelisht edhe për ujësjellësin e ri dhe sistemimin e ujërave të zeza dhe të bardha”.

Inxhinieri që ndjek punimet u shpreh se “po punohet edhe për rehabilitimin e përroit të Laçit, paralelisht edhe me fillimin e punimeve. Do të ndërtohen pallate 5-katëshe dhe dy janë dykatëshe ku do të akomodohen 230 familje”.

Gjatë vizitës kryebashkiakja Cara i tha Kryeministrit Rama se djali i një prej inxhinierëve turq që punojnë në kantieret e ndërtimit do të fejohet me një vajzë nga Laçi dhe nesër zhvillojnë ceremoninë. “Ky qenka lajm i madh, do të vij patjetër”, – tha Rama.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.