“Spitali i Fierit do mbulojë gjerësisht pjesën e jugut”/ Menaxhim me sistemin turk që do ta shtrijmë mandatin e ardhshëm në të gjitha spitalet, por vetë

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se spitali i Fierit do të mbulojë gjerësisht pjesën e jugut të Shqipërisë dhe do të menaxhohet me sistemin turk.

Në një intervistë televizive i pyetur mbi pritjen në Turqi nga presidenti Erdogan, Rama tha se, “meqenëse pritja ishte e jashtëzakonshme dhe shumë mbresëlënëse, pata mundësinë të mësoj që është shkalla më e lartë e protokollit që ka Presidenca. Ka disa shkallë, kjo është më e larta. Natyrisht është një nder dhe është padiskutim vlerësim i jashtëzakonshëm për atë që unë përfaqësoj, Shqipërinë, dhe një shprehje miqësie dhe një shprehje dëshire që këtë marrëdhënie strategjike që ne e kemi me Turqinë, ta çojmë përpara dhe ta konsolidojmë”, u shpreh Rama.

Sa i përket marrëveshjeve me Turqinë, Rama tha se, “marrëveshjet janë ato që janë nënshkruar, nuk ka të tjera. Kemi nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik, e cila është një marrëveshje parimesh, por që ka një rëndësi të veçantë, sepse ka brenda një mekanizëm që vendoset në funksion të kësaj marrëdhënieje, që është Këshilli i Lartë Konsultativ, i cili do të funksionojë si një grup i ngritur nga të dyja palët”.

“Janë bërë marrëveshje në fushën e infrastrukturës, ku pala turke është angazhuar që të marrë pjesë në garat e rëndësishme për infrastrukturën në Shqipëri. Pra që të marrë pjesë në gara, që nuk është diçka e vogël, sepse ne kemi hera-herës problematikën e mospjesëmarrjes në garë, siç na ndodhi për shembull me aeroportin e Vlorës, për të cilin kompanitë që shprehën interes, u kërkuan pastaj që gara të pezullohej për shkak të pandemisë dhe të shtyhej”, theksoi Rama.

“Kemi bërë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Dhe spitali, i cili do të ndërtohet në Fier është vetëm një nga disa projekte që ne kemi diskutuar me presidentin”, nënvizoi Kryeministri.

“Ndërkohë ai që është më i rëndësishmi për mua si projekt është projekti i ngritjes në një nivel qeveritar më të lartin mes ministrave të Shëndetësisë i problematikës së çuarjes më tutje të të gjithë progresit të bërë në sistemin tonë shëndetësor. Dhe njëkohësisht asistenca e Turqisë në aspektin e transferimit të dijes dhe transferimit po ashtu të teknologjisë, përfshirë dhe të asistencës në rast nevoje”, theksoi Rama.

“Kemi bërë një marrëveshje që është vërtetë një lajm shumë i mirë, sepse do të sjellim në Shqipëri Universitetin Teknologjik të Stambollit, i cili është universiteti me reputacionin më të madh, ose ndër tre universitetet me reputacionin më të madh në Turqi, por është dhe një universitet i kuotuar botërisht. Dhe nuk do të jetë një binjakëzim, por do të jetë Universiteti Teknologjik i Stambollit që do të ketë këtu një degë  të vetën, në sensin e dhënies së të gjitha dijeve që jepen atje. Dhe duke pasur një eksperiencë shumë të mirë me Universitetin Teknologjik të Stambollit me nxënësit më të shkëlqyer që ne kemi çuar atje 6 vite me radhë, të sponsorizuar për të studiuar në Turqi, të cilët çdo vit, shqiptarët, nxënësit tanë kanë dalë më të mirët në atë universitet që është nga më të mirët e botës. Do t’u japim mundësi shumë më tepër shqiptarëve, por dhe nxënësve nga rajoni, por dhe të tjerë, siç shkojnë në Universitetin e Stambollit nga të gjitha, nuk e di sa pasaporta ka atje, të vijnë të studiojnë në Tiranë”, u shpreh Rama.

“Kemi bërë marrëveshjet për ta përfunduar, që do të thotë për të shtuar resurset financiare dhe resurset njerëzore në restaurimin e plotë të Gjirokastrës dhe Beratit, flas për pjesën historike”, tha Rama.

I pyetur nëse ka një faturë financiare të përllogaritur për të gjitha këto marrëveshje, Rama tha se, “të gjitha këto do të vendosen në tryezë përmes Këshillit të Lartë Konsultativ në nivelin më të lartë ministror. Marrëveshja përshembull për strehimin është një marrëveshje që besoj do të sjellë shumë benefite për njerëzit tanë, sepse do të fusë në funksion një skemë të re për ndërtimin e shtëpive për ata të cilët nuk mundet dot të marrin kredira direkt nëpër banka etj. Gjë që Turqia e ka bërë me një sukses të jashtëzakonshëm. Dhe nuk është thjesht çështje finance, por është edhe çështje dije dhe ne sigurisht në këtë pikë kemi një interes të madh”.

“Ne kemi një problem që e kemi zbutur shumë, por prapë mbetet një problem, ndërhyrja e të tretëve në procesin e blerjes së ilaçeve për spitalet tona. Duke bërë negociata me mëmat që prodhojnë ilaçe, në disa raste ministrja e Shëndetësisë ka pasur shumë sukses në arritjen e marrëveshjeve direkte që kanë ulur çmimet në mënyrë të ndjeshme. Ne tani duam që të bëjmë një binjakëzim, pra një lidhje të drejtpërdrejtë me prodhuesit, jo të kalojmë nga të tretët, por me prodhuesit që furnizojnë spitalet në Turqi dhe kështu të arrijmë të marrim furnizim me çmime shumë më të ulëta”, tha Rama.

Rama tha se është nënshkruar edhe marrëveshje në fushën e sigurisë. “Në fushën e çuarjes përpara të gjithë procesit të modernizimit të Policisë së Shtetit. Dhe në tërësi besoj që kjo është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se, “70 milionë eurot e spitalit rajonal të Fierit që do mbulojë jo vetëm Fierin, por do të mbulojë gjerësisht pjesën e jugut të Shqipërisë dhe që nuk do të jetë thjesht një ndërtesë e re me pajisje, por në një periudhë tranzicioni do menaxhohet me sistemin turk të menaxhimit, që do të thotë një nivel i ri menaxhimi që ne do ta shtrijmë pastaj në mandatin e ardhshëm në të gjitha spitalet, jo me Turqinë, por vetë”.

“Por aty do të mësojmë sesi një spital publik falas, menaxhohet nga kompania private. Kështu e kanë të gjithë spitalet e Turqisë,e  cila ndërton dhe operon nga pikëpamja logjistike. Pra gjithë problematikat, që ka ngrohej, s’ka ngrohje, ka drita, s’ka drita, ka çarçafë të larë, s’ka çarçafë të larë. Shefat e pavijoneve do të jenë turq, ndërkohë që gjithë mjekët dhe infermierët do jenë shqiptarë. Në drejtim të spitalit do jetë një ekspert turk me staf shqiptar që do mësojë për të marrë drejtimin e spitalit dhe kështu ne do kemi një spital ku do shkojnë banorët e Fierit, por edhe nga gjithë jugu dhe gjithë Shqipëria, njësoj sikur shkojnë në spital në Stamboll”, theksoi Kreu i Ekzekutivit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.