RIO DE ZHANEIRO, 15 janar /ATSH-AFP/ – Pele dhe Netflix njoftuan publikimin në muajin shkurt të një dokumentari të ri, që ka të bëjë me jetën e lojtarit brazilian, nga zbulimi i Botërorit-1958 te heroi kombëtar gjatë një periudhe radikale dhe të trazuar në historinë e Brazilit.
Ky film do të jetë i disponueshëm në platformën e njohur duke nisur nga 23 shkurti.
Regjisorët e tij, David Tryhorn dhe Ben Nicholas kohët e fundit kishin prodhuar një tjetër dokumentar me titull “Të gjithë ose asgjë, përzgjedhja braziliane” që rrëfen fitoren e Copa America nga Seleçao në 2019.
Pele mbetet deri më sot futbollisti i vetëm që ka ngritur tre Kupa Botërore (Suedi-1958, Kili-1962, Meksikë-1970). Kjo e fundit u fitua gjatë periudhës së gjatë të diktaturës ushtarake në Brazil (1964-1985).
Në vitin 2000, ai u zgjodh lojtar i shekullit të 20-të nga ekspertët e FIFA-s pasi publiku, në një tjetër votim, zgjodhi argjentinasin, Diego Maradona.
“Shpresoj që një ditë të mund të luajmë futboll së bashku në parajsë”, reagoi mbreti Pele pas vdekjes së “Pibe de Oro” nëntorin e kaluar./ /ec/