FOTO/ Magjia e qytetit të liqenit nën dëborë

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Pogradeci, një ndër qytetet turistike të vendit, të magjeps këto ditë janari nga pamja përrallore e krijuar nga dëbora.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Në disa fotografi të publikuara bashkia e Pogradecit ju ofron të shijoni magjinë e qytetit, që pret mijëra vizitorë në të gjitha stinët.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.