“Deri në maj 2022 do kemi zhdukur të gjitha pasojat e tërmetit”/ Ahmetaj: Rindërtim i mbi 1500 shtëpive deri në mars, grante rikonstruksioni për mbi 29 mijë familje

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se aktualisht sot kemi 865 persona në çadra nga 11 000 mijë familje që ishin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që dëmtoi banesat e tyre.

Në një intervistë televizive ministri tha se “procesi i Rindërtimit pas tërmetit po vijon me ritëm të shpejtë në drejtim të ndërtimit të banesave individuale, blloqeve të banimit dhe shkollave”.

“Në një vit janë ndërtuar më shumë shkolla se ç’janë bërë në 30 vite”, tha ai.

Ahmetaj theksoi se, “programi i rindërtimit përfshin: programin e granteve DS1-DS3, për qytetarët banesat e të cilëve janë dëmtuar lehtë, programin e shkollave, të banesave individuale dhe programin e banesave kolektive”.

Sipas tij, deri tani janë vlerësuar 29 100 familje me grante rikonstruksioni, të cilat kalojnë para kesh në llogari të familjeve. Shuma shkon deri në 100 milionë USD dhe afërsisht 21 milionë USD janë dhënë grantet për ambientet e përbashkëta, të përfshira në këtë program.

“Vlera e miratuar është 100 milionë dollarë, pa përfshirë 21 milionë dollarët e ambienteve të përbashkëta dhe nga 100 milionët rreth 76 milionë dollarë që janë disbursuar në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë që ndërtimi i shtëpive individuale ka ecur me përparësi dhe sot familje tëra po marrin çelësat e shtëpive të reja që shteti ua ka ndërtuar falas”, tha Ahmetaj.

Duke u ndalur tek programi i shkollave të cilin ai e vlerësoi si spektakolar, ministri tha se “11 muaj nga fillimi i punës ne kemi ecur me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Duhet ta dini, duhet ta dinë qytetarët, që ka qenë një punë dhe është një punë kolosale, që nga përllogaritja e dëmeve dhe deri te fillimi i punës në terren. Janë 157 shkolla. Kemi disa shkolla ende pa financim, të cilat do të financohen tani në muajt janar-shkurt. Këtu e kemi programin të kombinuar me donatorët. Donatori kryesor i shkollave është Komisioni Europian”.

Ahmetaj tha se, “fondi i lëvruar prej tyre, pra angazhimi është 115 milionë. Ata bëjnë procedurat e tyre, bëjnë prokurimet e tyre. si njësi zbatuese kanë caktuar Kombet e Bashkuara, pra agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe numri i shkollave është rreth 73, që ata do të bëjnë”.

“Ndërkohë që me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në fund të janarit, me përjashtime të vogla deri në mesin e shkurtit, i mbarojmë të gjitha shkollat me buxhetin e shtetit”, bëri të ditur Ahmetaj.

Ai tha se, “për sa i përket programit të tretë, që janë njësitë individuale, puna në terren është intensive. Janë prokuruar, me përjashtime shumë të vogla, të gjitha njësitë individuale të vlerësuara DS4-DS5 për t’u rrëzuar, për t’u shembur dhe për t’u rindërtuar në bazë të modeleve”.

“Në përllogaritjet tona besoj se deri në fund të marsit do të jenë mbi 1500 njësi individuale të mbaruara të dorëzuara. Por njësi individuale ne kemi 4500 dhe sigurisht që puna vazhdon. Në Fushë-Krujë e Shijak kanë avancuar njësitë individuale jashtëzakonisht shumë dhe shumë bukur. Në Durrës, në fillimin e javës që vjen, me fondin e Abu Dabit, do të ndërtohen 2000 banesa. Besoj se do të fillojmë me një nga korpuset e Spitallës dhe pastaj të gjitha të pikëzuara. Ndërkohë në Thumanë sapo kanë filluar të 14 pallatet që do të ndërtohen nga buxheti i shtetit dhe në Kamëz do të ndërtohen 21 pallate, do të bëhet një qendër e re e bashkisë së Kamzës, në krah të shkollës kopshti, në krah të kopshtit shkolla”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se, “sot në Laç ka filluar ndërtimi i pallateve. Në krye të 8 muajve qytetarët do të jenë në pallatet e reja. “5 Maji” ka filluar, pra këtu në Tiranë te Njësia nr. 4, që do të jetë një poliqendër shumë interesante”.

“Ne i kemi angazhuar të gjitha grantet e rindërtimit, të cilat janë angazhuar në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel. Të gjitha. Ne po mbyllim përfundimisht edhe marrëveshjen e fundit me qeverinë greke, për 2,5 milionë euro, shumë e cila do të shkojë për ndërtimin e gjimnazit te “5 Maji” në bashkinë e Tiranës. Pra është vendosur, është dakordësuar dhe besoj që muajin tjetër fillon zbatimi edhe në terren. Pra këto ishin katër programet”, u shpreh ai.

Ahmetaj deklaroi se, “me të mbaruar i gjithë prokurimi dhe fillimi në terren, siç po ndodh tashmë i njësive kolektive, sepse njësitë individuale janë në ndërtim e sipër me shpejtësi, do të ulemi me kryeministrin për të menduar ndoshta edhe një program për të ndihmuar rimëkëmbjen e bizneseve që janë dëmtuar nga tërmeti”.

Ministri bëri të ditur se, ende është mbyllur llogaria e vitit 2020, por nga buxheti i shtetit për rindërtimin janë disbursuar rreth 20 miliardë lekë.

Ai shprehu bindjen për fitoren e një mandati të tretë qeverisës, pasi siç tha ai, “është hera e parë që qytetarët e shohin mandatin e tretë fare të natyrshëm për një forcë politike”.

“Nuk ka rëndësi ajo që thonë ata që bëjnë si analistë apo si propagandistë të së djathtës. Njerëzit i prekin realisht shërbimet dhe mbështetjen ndaj tyre. Unë mendoj që deri në maj të vitit 2022 ne do t’i kemi zhdukur të gjitha pasojat e tërmetit, të gjitha. Përtej bolorisë politike, ai është momenti më emocional dhe më i lumtur për mua kur shoh që qytetarët kanë besim, ose vijnë aty ku shkon kryeministri apo edhe unë me të dhe shohin punimet, shohin përshkrimin, shohin infrastrukturën, ndërtimet e reja, kuptojnë se çfarë po ndodh, pastaj marrin çelësa. Është një proces emocional shpirtëror fantastik”, tha Ahmetaj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.