CNN: Një shtrat në spitalet britanike tashmë një komoditet, hotelet hapin dyert për pacientët Covid-19

CROYDON, 15 janar /ATSH/ – Hoteli më i mirë në periferinë perëndimore të Londrës, në Croydon, normalisht duhej të ishte i mbushur me familjarë, udhëtarë për biznes apo edhe punëtorë, shkruajnë për CNN Nada Bashir dhe Sarah Dean.

Por, holli i tij është bosh për mysafirët dhe orenditë, përveç një tavoline të vetme me një shishe të mbushur me dezinfektues, një kuti maska ​​për fytyrën dhe një njoftim ku shkruhet: “Kollitjet dhe teshtitjet përhapin sëmundje”.

Ky hotel me 107 dhoma është tani një repart për pacientët me koronavirus, si pjesë e një programi pilot për të lehtësuar spitalet lokale që janë nën një tendosje të madhe në valën e dytë të pandemisë.

Menaxheri i hotelit Alex Palaghiu thotë se kalimi nga hoteli me 4 yje në impiantin e improvizuar mjekësor u nxit nga nevoja për të ndihmuar Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS).

“Ne jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj, kështu që është një ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e diçkaje. Unë besoj se të gjithë duhet të bashkohen për të mbështetur NHS dhe për të shpëtuar jetë”, thotë ai.

Ky është hoteli i parë në BM që merr pjesë në këtë skemë, por nëse është i suksesshëm, mund të jetë një model për konvertimin e më shumë hoteleve në spitale provizore.

NHS aktualisht po tronditet nga një krizë e paparë me më shumë pacientë me koronavirus.

Një variant i ri, më infektiv i Covid-19, për të cilin zyrtarët thonë se është jashtë kontrollit, ka shkaktuar shkallë rekorde të infeksioneve.

Shtretërit spitalorë tani janë një nga komoditetet më të çmuara në vend.

Hotelierët thonë se duan që zyrtarët shëndetësorë të dërgojnë qindra pacientë të tjerë Covid-19 në hotelet e tyre.

“Industria e mikpritjes është praktikisht e mbyllur, kështu që të gjithë jemi të gatshëm të hapim dyert tona”, shpjegon Meher Nawab, CEO i London Hotel Group, pjesë e të cilit është edhe hoteli ”Best Western”.

Dorëzimi i vakteve pa kontakt bëhet tre herë në ditë dhe stafi përfundoi një kurs trajnimi me video të siguruar nga NHS, rriti praktikat e tyre të higjienës dhe instaloi sisteme të filtrimit të ajrit në të gjithë ndërtesën.

“Ne jemi të trajnuar si duhet dhe standardi i pastrimit është më i lartë se kurrë. Kështu që ne jemi të sigurt”, thekson Palaghiu./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.