400 mijë lekë mbeten në llogarinë e biznesit pas zerimit të tatimfitimit/ Mundësi për të riinvestuar apo shtuar krahun e punës

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Mbi 91 % e biznesit prej 1 janarit për një periudhë 8-vjeçare nuk do të paguajnë tatimin mbi fitimin, çka i jep mundësi atij të riinvestojë apo të shtojë krahun e punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal në një prej bizneseve në qytetin e Vlorës që përfiton nga vendimi i qeverisë për zerimin e tatimfitimit.

“Me Eltonin, i cili nga 1 janari i këtij viti, do t’i mbeten mbi 400 mijë lekë në biznesin e tij, që më parë i paguante si tatim mbi fitimin. Ai tashmë mund t’i riinvestojë apo të punësojë djem e vajza të rinj vlonjatë”, tha Denaj.

Për të ndihmuar biznesin për gjetjen e forcës së punës së kualifikuar, minsitrja Denaj tha se qeveria po financon kurse profesionale.

“Edhe për gjetjen e forcës së punës së kualifikuar i vijmë në ndihmë biznesit përmes Zyrave të Punës, që do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me biznesin për të siguruar që të jenë dera e pare, ku sipërmarrësit trokasin për të gjetur krah pune të kualifikuar”, informoi Denaj.

Qeveria vendosi të zerojë tatimfitimin për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, me qëllim lehtësimin e barrës fiskale të biznesit, e cila konsiderohet më e ndjeshme ndaj situatës së vështirë financiare të krijuar nga COVID-19.

Më tepër sesa për peshën e tyre në të ardhurat buxhetore, bizneset e vogla kanë rëndësi për nivelin e lartë të punësimit, pasi pjesa dërrmuese janë të vetëpunësuar dhe biznese familjare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.